
Sot në mbarë botën shënohet 18 prilli, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, si një ditë kushtuar monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjie.
Siç njofton ministrja e Kulturës, Elva Margariti, këtë vit i kushtohet mbrojtjes së klimës, ndërkohë që hyrja është falas për të gjithë të interesuarit që duan të vizitojnë parqet arkeologjike në vend.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, që këtë vit i dedikohet mbrojtjes së klimës.
Një ditë për të reflektuar mbi dëmet që mund t'i shkaktoheshin monumenteve për shkak të ndryshimeve klimatike.
Fati i tyre varet vetëm nga sjellja jonë karshi natyrës!
Sot, hyrja është e lirë në parqet arkeologjike!
Në vitin 1982, Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve (ICOMOS) caktoi 18 prillin si një ditë kushtuar monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjie, që u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), të mbajtur në vitin 1983.
Me rastin e kësaj dite institucionet në Shqipëri organizojë aktivitete të ndryshme që kanë në fokus sensibilizimin për njohjen e monumenteve të kulturës dhe mbrojtjen e tyre.



