
Regjisori i njohur Spartak Pecani, ndau me shikuesit e MCN live, emocionet e tij përgjatë punës dhe njohjes me aktorin e madh Mirush Kabashi i cili dje u na nga jeta në moshën 75 vjeç, pas një sëmundje të rëndë.
Pas nderimit të figurës së tij në homazhet në hollin e Muzeut Historik, Pecani, tha se një aktor të rrallë me element njerëzor e të fiksuar pas punës, rallë mund të gjesh.
Pecani kujtoi se në fillimet e punës së tyre, Kabashi, ishte ai që e shtyu në dashurinë për artin.
Kjo është një humbje e madhe, sidomos ne që kemi punuar me të. Ai ka qenë një artist me zemër të madhe, me një energji të jashtëzakonshme për punën, një punëtor i madh. Së pari ai ishte një njeri me elemente njerëzore të rralla, që pak kush e ka.
Me të kam realizuar “Kohë e largët”, dhe ai e ka mbajtur filmin duke i krijuar një dramacitet të jashtëzakonshëm. Gjatë xhirimit të filmit, dua të kujtoj një rast kur na doli gjarpri, dhe unë kisha frike, ai siç ishte fokusuar në realizimin e rolit, e largoi gjarprin, vetëm për ta vazhduar punën, sepse ishte totalisht i dhënë pas rolit.
Jeta ime ka qenë e lidhur me Mirushin. Ai erdhi në shkollë dhe më dha rolin kryesor në një film, dhe ishte i pari që më mori me vete në dashurinë për artin, për çfarë i jam mirënjohës përjetë.
Ai nuk ka vdekur, do mbetet i gjallë përjetë me veprat e tij, me recitimet e tij. Do ti rritën më shumë vlerat.



