
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Javës së Kulturës Egjiptiane dhe nën kujdesin e veçantë të Ministres së Kulturës, znj. Elva Margariti, çeli sot, ekspozitën kushtuar një prej perlave të koleksionit të botimeve të rralla të BKSh-së, veprës monumentale me 11 vëllime, e cila shënon fillimet e egjiptologjisë si shkencë: “Description de l'Egypte, ou, Recueil des observations et des recherches qui ont été faites en Egypte pendant l'expédition de l'armée française… (1809-1822)”, me pjesëmarrjen e veçantë të Ministres së Kulturës së Egjiptit, H. E. Nevien Elkilany.
Drejtori i BKSh-së, z. Piro Misha, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “kjo vepër e famshme, që po i bëhet e njohur për herë të parë publikut shqiptar, përbën një prej perlave të koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore, por edhe artistike të kohës, kjo vepër, që përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, ushtroi një ndikim mjaft të madh në mbarë Evropën. Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë në mbarë botën perëndimore”.
E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore por edhe artistike të kohës, kjo vepër që përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, ushtroi ndikim të madh në mbarë Europën.
Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë, në mbarë botën perëndimore.
Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme përbën një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Çeljen e kësaj ekspozite e përshëndetën edhe Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, znj. Elva Margariti, dhe Ministrja e Kulturës së Egjiptit, H. E. Nevien Elkilany, të cilat theksuan forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e kulturës, dhe sidomos atë të librit.
Me të 11 vëllimet e saj, që sillen në këtë ekspozitë mbulohen aspekte nga më të ndryshmet të Egjiptit të lashtë e të Egjiptit modern. Kjo është hera e parë që ky koleksion i prezantohet publikut shqiptar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin e Katit II të Teatrit Kombëtar të Operas dhe të Baletit.



