
Janë shpallur tre përfituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare “Libri për Fëmijë” për vitin 2026, një nismë që synon të mbështesë dhe promovojë krijimtarinë shqiptare për lexuesit e vegjël.
Fituesit e këtij viti janë Teuta Toska (Shtëpia Botuese Albas), Adelina Mamaqi (Botime Univers) dhe Xhahid Bushati (Shtëpia Botuese Mediaprint). Teuta Toska u vlerësua për dorëshkrimin “Na quajnë Motrat Qiriazi”, një rrëfim emocionues dhe bashkëkohor që sjell për lexuesit jetën, misionin dhe sfidat e motrave Qiriazi në shërbim të arsimit, gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Adelina Mamaqi u vlerësua për dorëshkrimin “Tregimet e Kalendarit”, një përmbledhje tregimesh plot humor dhe origjinalitet, që i shndërron ditët e kalendarit në rrëfime argëtuese dhe edukative për fëmijët. Ndërsa Xhahid Bushati u shpall fitues me dorëshkrimin “Plaku me akullore”, për vlerat artistike të poezive dhe përrallave në vargje, të cilat ndërthurin natyrën, fantazinë dhe botën emocionale të lexuesit të vogël.

Mes fituesve spikat emri i Adelina Mamaqit, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare për fëmijë, me një krijimtari shumëvjeçare dhe dhjetëra libra që kanë shoqëruar breza të tërë lexuesish. Po ashtu u vlerësua edhe Xhahid Bushati, një autor i konsoliduar me kontribut të spikatur në pasurimin e letërsisë shqiptare për fëmijë. Përzgjedhja e Teuta Toskës shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj krijues, duke e prezantuar si një zë të ri të letërsisë për fëmijë dhe duke përmbushur një prej misioneve kryesore të Fondit: promovimin e autorëve të rinj përkrah emrave të njohur.
Kryetari i jurisë, Flori Kasaj, theksoi se procesi i vlerësimit u zhvillua mbi parimin e anonimitetit të plotë të dorëshkrimeve, çka garantoi një proces të drejtë dhe profesional.

“Këtë vit, shqyrtuam 16 dorëshkrime me një larmi zhanresh dhe qasjesh krijuese. Çdo dorëshkrim u analizua mbi bazën e kritereve profesionale, si: origjinalitetin e idesë, strukturën narrative, ndërtimin e personazheve, gjuhën, stilin artistik, mesazhin dhe ndikimin edukativ. Ishte një proces i gjatë, me rilexime, diskutime dhe reflektime, ku asnjë vendim nuk u mor me nxitim.”
Në jurinë vlerësuese bënin pjesë edhe shkrimtaret Rovena Rrozhani dhe Rudina Çupi. Emrat e fituesve morën dakordësinë unanime të të tre anëtarëve të jurisë.



