
Akademia e Shkencave ka nderuar me titullin “Nderi i Akademisë” shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur, Mitrush Kuteli. Në konferencën shkencore me titull “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi”, mbajtur në nder të tij, titulli u tërhoq nga e bija, Atalanta Pasko.
Dhimitër Pasko nderohet me këtë titull me motivacionin: Shkrimtar me veprimtari krijuese origjinale në prozë dhe poezi; një ndër themeluesit kryesorë të prozës moderne shqiptare; mjeshtër i ligjërimit e rrëfimit, fantazisë dhe së magjishmes; krijues e rikrijues virtuoz mbi bazën e motiveve tradicionale të botës shqiptare; shqipërues i kryeveprave botërore dhe pasurues i gjuhës shqipe; publicist e mendimtar kritik; studiues me vepra të suksesshme në disa fusha të dijes; veprimtar gjurmëlënës në rrugën e përparimit shoqëror e qytetar të vendit.
Në fjalën e tij, kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, vlerësoi figurën e shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur.
Nuk kanë të numëruar e të përshkruar veprat që Mitrush Kuteli i la trashëgim qytetërimit shqiptar, madje, disa prej tyre nuk njihen ende as nga vetë studiuesit. Kjo jo vetëm për shkak të karakterit shumëpërmasor të krijimtarisë së tij, por edhe për shkak të një të vërtete tjetër: sepse shoqëria shqiptare, institucionet e saj, midis tyre edhe Akademia jonë e Shkencave, Kutelit e krijimtarisë së tij i janë kushtuar pak, duke i mbetur ende borxhlinj, theksoi Akademik Gjinushi, në fjalën e hapjes së konferencës shkencore me titull “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi.
I formuar si ekonomist, i diplomuar dhe i doktoruar në shkencën e ekonomisë dhe financës me cilësimin më të lartë, Kuteli i ka dhënë shumë historisë së letrave dhe të kulturës sonë kombëtare: si shkrimtar dhe si publicist; si kritik letrar, editor dhe mbështetës i autorëve më të shquar të kohës: Fan Nolit, Lasgush Poradecit e Migjenit. Si shqipërues që i dha gjuhës shqipe dimension barazie me gjuhë kulturash e qytetërimesh të mëdha.



