
Qyteti i Prizrenit në Kosovë, edhe këtë vit do të jetë nikoqir i dhjetëra regjisorëve e artistëve të huaj e vendor dhe vendtakim që mbledh filmdashësit para ekranit buzë Lumbardhit.
Hapja zyrtare e festivalit u bë mbrëmë në Kino Lumbardhi, duke bashkuar artistë, filmbërës dhe artdashës, e duke i ftuar në pikëtakimin kinematografik përgjatë tetë ditët në vijim.
Edicioni i 23-të i Festivalit ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër ‘DokuFest’, do të zgjasë prej 2 deri më 10 gusht dhe do ketë rreth 250 dokumentarë dhe filma të shkurtër, nga të cilët 109 do të garojnë në tetë kategori.
Përveç Kosovës, ka edhe rreth 100 filma të shkurtër nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe filma shumë cilësorë edhe nga rajoni.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Dokufestit, Veton Nurkollari, nga rajoni veçohen filmat nga Bosnje e Hercegovina.
Fokusi i Dokufest-it të këtij viti është Ukraina, por po ashtu do të shfaqen edhe më shumë filma nga Gaza.
103 filma nga dhjetëra shtete do të garojnë që të marrin çmimet më të mira në kategoritë përkatëse si: “Balkan Dox”, “International Feature Dox”, “International Short Dox”, “International Shorts”, “Human Rights Dox”, “Green Dox”, “Truth Dox” dhe “National”.
Kategoritë e tilla dëshmojnë përpjekjen e vazhdueshme të festivalit për të shërbyer si hapësirë ndërkulturore dialogu që mëton t’i jep publikut perspektiva diverse si alternativë shoqërore.
E pikërisht tema që do shoqërojë këtë vit është “NEË ORDER”.
Çmimet do t'u jepen fituesve në tetë kategori në ditën e fundit të festivalit, më 10 gusht.
Përveç filmave, DokuFest organizon edhe DokuNights.
Çdo vit, DokuFest sjell performuesit më të mirë muzikor ndërkombëtar dhe vendorë për të elektrizuar audiencën në DokuNights.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe Filmit të Shkurtër ‘Dokufest’ është renditur i 25-ti në listën e festivaleve më të mira në botë të kësaj kategorie.



