
Ekspozita “Gjyqet” e hapur në Shkodër, u mundësua nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe vjen si një hulumtim nga kuratorët Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi.
Musine Kokalari, Lef Nosi apo At Anton Harapi, janë vetëm disa nga emrat mes 150 profileve të cilët shfaqen në një ekspozitë sa të rrallë aq edhe të ndjeshme dhe ku secili prej tyre mbart një histori për të treguar dhe rrëfyer.
Imazhet fotografike të arkivës së pasur të ATSH-së, i përkasin periudhës politike të viteve 1945-1961, kohë në të cilën regjimi i asaj kohe shfaqi qëndrimin e saj agresiv e kërcënues ndaj personave që kishin një qëndrim ndryshe.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi ekspozitën “Gjyqet” jo thjesht një dëshmi, por edhe reflektim mbi të shkuarën.
Ky vit përmbyllet në Muzeun e Fotografisë “Marubi” me një bashkëpunim të ri, me Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Ekspozita “Gjyqet” kuruar nga Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi është jo thjesht një dëshmi, por edhe reflektim mbi të shkuarën.
E cilësuar si një gjyq i fotografisë së gjyqeve, me profile që flasin më shumë se një mijë fjalë, figura publike dhe njerëz të pafajshëm të cilët u cilësuan “armiq të popullit” dhe “kriminelë lufte”, ekspozita nxjerr në pah dhe mundohet të flasë jo vetëm për historikun e një periudhe të caktuar, me gjyqe speciale që nuk vërtetoi asnjë krim, por dënoi, pushkatoi dhe burgosi qindra persona, por dëshmon edhe peshën e fotografisë në atë periudhë.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 mars 2024.



