
Në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), u promovua albumi artistik “100 Portrete”, një vepër unike që përmbledh biografinë e Ismail Kadaresë përmes artit figurativ.
Albumi pasqyron një rrugëtim prej 62 vitesh, nga viti 1962 deri në 2024, dhe sjell figurën e shkrimtarit të madh shqiptar nëpërmjet 100 portreteve artistike të realizuara nga piktorë, skicues, grafikë dhe fotografë, shqiptarë dhe të huaj.
Ky botim i veçantë, realizuar nga JET Press, u prezantua si një homazh për njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Kadaresë dhe është konsideruar një nga nismat më të rëndësishme në nder të figurës së tij.
Nga pozimet e para për Nexhmedin Zajmin, Nikolet Vasia, Vilson Kilicën e Guri Madhen, te portretet më të fundit nga artistë si Arif Lushi dhe Hamerald Agolli, albumi përmbledh një jetë të reflektuar përmes ngjyrave, dritë-hijeve, formave dhe simbolikës.
Kuratori i ekspozitës, Abaz Hado, u shpreh se “Asnjë personazh tjetër letrar shqiptar nuk ka një katalog me 100 vepra arti të dedikuara. Kadareja është i dyti pas Skënderbeut për nga prania në artin pamor.”
Studiuesi Ermir Nika e quajti albumin jo thjesht një koleksion arti, por një biografi vizuale që tregon jetën dhe ndikimin e Kadaresë përmes imazhit.
Projekti është realizuar nga Instituti Liberal Pashko, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit "Credins".
Sipas organizatorëve, ky është vetëm fillimi: dy albume të tjera janë në përgatitje, duke e kthyer portretizimin artistik të Kadaresë në një cikël të plotë kulturor.



