
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup prof. dr. Izet Zeqiri sot priti në takim pune delegacionin e kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skënder Gjinushi.
Gjatë këtij takimi kryetari i ASHSH akad. Skënder Gjinushi dhe prof. dr. Izet Zeqiri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Marrëveshja ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis palëve, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre, përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta
Rektori Zeqiri i paraqiti për kryetarit Gjinushi zhvillimet në UNT dhe falënderoi për 700 botimet shkencore që dhuroi Akademia e Shkencave e Shqipërisë për pasurimin e bibliotekës universitare.
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup falënderoi dhe vlerësoi kontributin e dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit në fushat dhe shkencat e interesit të përbashkët.
Akademik Skënder Gjinushi falënderoi rektorin Zeqiri për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shprehu dëshirën që nënshkrimet e vendosura sot t’i realizojnë në praktikë që nesër.



