
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua sot konferenca shkencore me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Fan Stilian Nolit.
Në fjalën e tij, kryetar i ASHSH-së, Skënder Gjinushi tha se “Fan Noli jetoi e veproi në tri periudha historike: në epokën e Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë dhe mëkëmbjes shtetërore të Shqipërisë më vete dhe të dekadave të pasluftës antifashiste. Në të tria këto periudha ai pati ndriçimin e vet të pashoq. Në 110 vjet pavarësi, shteti shqiptar ka gjetur te Noli shtetarin më të ditur, tribunin më demokrat, udhëheqësin më libertin, përfaqësuesin më erudit, njeriun që diti të rebelohet e të rebelojë popullin e vet dhe njëherësh të gjejë momentin e duhur për t’u tërhequr”.
“Kryepeshkop e kryeministër; deputet e prijës popullor; mendimtar e veprimtar i guximshëm; figurë kryesore me rol vendimtar për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe shqipërues i librave liturgjikë; harvardist që respektohej si figurë preferenciale nga institucionet shtetërore amerikane; politikan që e mbështeti republikanizmin; protagonist i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e anëtarësimit të Shqipërisë në OKB, adhurues i lirisë dhe progresit; polemist i rreptë me shakaxhinjtë e përparimit dhe ironizues i vetvetes; predikues i paqes kristiane dhe njëherësh revolucionar; kryelartë e njëherësh fshikullues i pamëshirshëm i gabimeve dhe dështimeve të veta; Fan Noli është një meteor që kaloi në qiellin e historisë shqiptare si një kulminacion intelektual”, nënvizoi Gjinushi.
Gjinushi u shpreh se “nuk ka një figurë tjetër në historinë politike, shtetërore, kulturore dhe fetare si ajo e Fan Nolit, që të krahasohet me përmasat e tij: si njeriu që admironte qytetërimin e Perëndimit dhe lartësonte shkëlqimin klasik pers; si adhurues i Shekspirit dhe i Saadiut; si predikues i barazisë në jetën tjetër dhe nxitës e prijës i lëvizjeve të mëdha popullore; si hyjnizues i virtytit shqiptar dhe ndëshkues me kamzhik i veseve kombëtare; si poligloti që synonte të ripërkthente Shkrimet e Shenjta nga aramaishtja dhe mësonte kryegjuhën e ungjijve kur ishte në vitet e fundit të jetës; si shërbëtor i Zotit dhe i popullit; si parodizues i Avropit anadollak dhe qesëndisës i politikave hipokrite në Evropë”.
Sipas tij, Fan Noli nuk shkëlqeu në një fushë, por në të gjitha fushat që preku.
Poet antologjik edhe kur eksperimentonte; përkthyes i pakapërcyeshëm, që provoi barazinë e shqipes përballë gjuhëve më të mëdha; njeriu që mbante korrespondencë me Bernard Shoun dhe i krahasuar vetëm me Ficxheraldin; historian që e ktheu veprën e vet në portë të detyrueshme drejt epokës së Gjergj Kastriotit; kompozitor e muzikolog; publicist e poliglot, që u shkroi grekëve, francezëve, italianëve dhe amerikanëve në gjuhën e tyre; aristokrat e skamnor; ai e lartësoi enciklopedizmin e rilindësve romantikë, qytetëroi mendimin shqiptar dhe e akademizoi jetën politike të epokës, duke mbetur në histori si fytyra më e denjë e parlamentarizmit shqiptar.
Kreu i ASHSH-së u shpreh se “studimet shqiptare nuk do të shlyhen për një kohë të gjatë nga detyrimet që u takojnë për ndriçimin e vlerave të papërsëritshme të personalitetit të Fan Stilian Nolit dhe nga nxjerrja e mësimeve për të sotmen përmes krahasimit të epokës së tij me kohën e sotme”.



