Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëron se besueshmëria e gazsjellësit Nord Stream, i cili transporton gazin rus në Europë, është në rrezik, pasi nuk ka pajisje rezervë për të zëvendësuar turbinën që ndodhet jashtë shërbimit.
Nuk ka rezerva, funksionon vetëm një turbinë. Bëjini vetë llogaritë.
Kështu deklaroi Peskov në konferencën e përditshme gjatë së premtes, teksa u pyet nëse do të ketë ndërprerje të mëtejshme në në rrjedhën e eksportit përmes Nord Stream për mirëmbajtje dhe riparime teknike.
Nuk ka asnjë rezervë! Nuk është faji i Gazprom, kështu që besueshmëria e funksionimit të tij është në rrezik.
Rusia është furnizuesi kryesor i gazit natyror në Europë dhe Nord Stream 1 është një nga tubacionet kryesore të furnizimit.
Tubacioni kalon në shtratin e Detit Balltik dhe shkon në Gjermani. Rusia ka shfrytëzuar pozicionin e saj si ofruesi kryesor i energjisë në Europë për përfitime politike veçanërisht për konfliktin me Ukrainën.
Bashkimi Europian ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pasi ajo ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë më 24 shkurt. Pas kësaj Rusia ka reduktuar furnizimin me gaz në Europë për të ushtruar presion politik, gjë që mund t’i vështirësojë gjërat në Europë, veçanërisht me afrimin e muajve të dimrit.



