Kanadaja redukton numrin e lejeve të studimit që do t’u japë studentëve të huaj si dhe shtrëngon të drejtën për leje pune, si tentativë për të ulur numrin e banorëve të përkohshëm në vend, njoftoi qeveria të mërkurën.
Njoftimi vjen ndërsa qeveria liberale e kryeministrit Justin Trudeau, e cila është mbas në sondazhet e opinionit publik dhe pas një humbje të madhe në zgjedhjet e brendshme këtë javë, kërkon të zvogëlojë numrin e banorëve të përkohshëm, përfshirë studentët dhe punëtorët e huaj në vend.
Çështja është bërë një nga më të diskutueshmet në politikën kanadeze, ndërsa zgjedhjet federale duhet të zhvillohen jo më vonë se tetori 2025.
Ndryshimet e shpallura të mërkurën do të zvogëlojnë numrin e lejeve ndërkombëtare të studimit të lëshuara në 437.000 në vitin 2025.
Kanadaja miratoi 509.390 leje në vitit 2023, sipas të dhënave të departamentit të imigracionit, dhe 175.920 në shtatë muajt e parë të 2024-ës.
Ndryshimet do të kufizojnë edhe të drejtën për leje pune për bashkëshortët e disa studentëve dhe punëtorët e huaj të përkohshëm.
Ndërsa Kanadaja sheh një rritje të numrit të pretenduesve për refugjatë, qeveria tha të mërkurën se planifikon të rishikojë masat për të forcuar integritetin e vizave dhe po rishikonte vendimmarrjen për vizat në mënyrë që oficerët e trajnuar të kenë mjetet e duhura për të zbuluar mashtrimin dhe për të zvogëluar numrin të vizitorëve jo të vërtetë.
“E vërteta është se jo të gjithë ata që duan të vijnë në Kanada do të jenë në gjendje, ashtu si jo të gjithë ata që duan të qëndrojnë në Kanada do kenë mundësi”, tha në një deklaratë ministri i Emigracionit Marc Miller.
Qeveria është zotuar të zvogëlojë numrin e banorëve të përkohshëm në 5% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa në muajin prill ishte 6.8%.
Emigrantët janë fajësuar për problemet shoqërore, si mungesa e strehimit të përballueshëm dhe kostoja e rritur e jetesës, edhe pse inflacioni pas pandemisë u ngadalësua në objektivin e Bankës së Kanadasë prej 2% në muajin gusht.
Sondazhet kanë treguar se një pjesë në rritje e publikut mendon se Kanadaja po sjell shumë emigrantë, ndërsa retorika dhe sulmet kundër emigrantëve janë rritur në Kanada, dikur e njohur për qëndrimin e saj mirëpritës ndaj të ardhurve.
Në janar, qeveria vendosi një kufi dyvjeçar për studentët e huaj, miratimet e të cilëve parashikohet të ulen me pothuajse gjysmën këtë vit.
Në fillim të këtij muaji, qeveria u tërhoq nga zgjerimet e vitit 2022 në programin e përkohshëm të punëtorëve të huaj.
Në disa sektorë, u reduktua pjesa maksimale e fuqisë punëtore të çdo punëdhënësi që mund të përbëhet nga punëtorë të huaj të përkohshëm me paga të ulëta.



