Një dokumentar me metrazh të shkurtër i fokusuar te Zëvendës Presidentja amerikane Kamala Harris do të shfaqet në kinema disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale të këtij viti në SHBA.
Me regjisorë Samir Zakir dhe Gerard Pizarro, filmi synon të rrëfejë histori të pa treguara të udhëtimit të Harris duke përdorur anekdota, animacione dhe intervista me artistë të shquar, anëtarë të familjes, miq të ngushtë dhe politikanë të rëndësishëm.
Nuk ka ende një datë të shpallur publikisht se kur filmi do të vijë për publikun, por ai do të shfaqet në kinema duke filluar nga muaji tetor dhe më pas do të jetë i disponueshëm përmes platformave premium dhe abonimeve video përpara zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen më 5 nëntor, ku Harris do të përballet me Donald Trump.
Bada Bing Pictures po merret me shpërndarjen e filmit të shkurtër që vjen nga Illumin8 Entertainment dhe Pizarro Creative.
Midis producentëve të filmit është analisti i CNN, Bakari Sellers, i cili dikur ishte anëtari më i ri i legjislaturës së shtetit të Karolinës së Jugut dhe është mik me Harris.
Regjisorët Zakir dhe Pizarro janë duke prodhuar filmin e shkurtër me Wendy Pizarro.
Sipas regjisorëve ky film më shumë se me udhëtimin politik të Kamalës ka të bëjë me humanitetin e saj.
Ata vërejnë se filmi tregon historinë e një gruaje zezake dhe indiane që ka thyer barrierat dhe ka frymëzuar miliona njerëz.
Regjisori Samir Zakir është një sipërmarrës dhe filantropist, i cili është CEO dhe bashkëthemelues i Illumin8 Entertainment, i cili qëndron pas projekteve që fokusohen në shëndetin mendor dhe mirëqenien holistike.
Ndërsa regjisori Gerard Pizarro është një avokat për drejtësinë sociale dhe një ish-avokat gjykues që themeloi Pizarro Creative, pjesërisht për t'u fokusuar në histori nga komunitetet e nënpërfaqësuara.
Wendy Pizarro ka punuar gjithashtu si avokate dhe është lider në inovacionin e shëndetit dhe mirëqenies.
Në film tregohet rrugëtimi i Harris, duke përfshirë shërbimin si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë përpara se të zgjidhej në Senatin e SHBA-së në vitin 2016.
Harris u bë zëvendëspresidentja e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane, e cila pranoi nominimin presidencial si demokrate.



