Në Izrael, kryeministri Netanjahu po përballet me një prej protestave më të mëdha, pas zbulimit të gjashtë pengjeve të reja të ekzekutuar në një tunel në Gaza.

Mijëra protestues kanë bllokuar disa rrugë në Tel Aviv. Demonstruesit u mblodhën në rrugën Begin dhe i bënë thirrje qeverisë për marrëveshje për lirimin e të rrëmbyerve që janë ende gjallë si të burgosur të Hamasit.

Ata akuzuan qeverinë e Netanjahut se po vepron kundër kombit. Ndërkohë, një tjetër demonstratë bllokoi trafikun në autostradën Ayalon.

Greva është paralajmëruar të dielën nga Histadrut, sindikata më e madhe e punëtorëve, e cila tha se synon të bllokojë ekonominë e vendit.

Kjo e detyroi sot gjykatën në Tel Avivi të urdhëronte përfundimin e grevës së përgjithshme në Izrael, në orën 14:30 me orën lokale, "pasi dëgjoi qëndrimet e palëve".

Lajmin e bën të ditur izraelitja Ynet.

Ndërkohë, në mbledhjen e qeverisë, Netanjahu e quajti grevën një turp dhe sulmoi ashpër demonstruesit që dolën në rrugë.

Ju po i thoni Sinwarit (lideri i Hamasit): ke vrarë gjashtë veta, ne këtu të mbështesim.

Ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden, u tha gazetarëve se një marrëveshje përfundimtare për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza është shumë afër, por shtoi se kryeministri izraelit nuk po bën sa duhet për ta finalizuar atë.

Të dielën, një ministër i Likud-it, e njëjta parti me kryeministrin, raportoi frikën e fortë të Benyamin Netanyahut në lidhje me protestat e mëdha kundër qeverisë.