
Sulejman Starova, specialist futbolli, në emisionin “Skaner” në MCN TV, komentoi ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit, e cila u mbyll me fitoren 3-0 të rrogozhinasve.
Starova u shpreh se të kuqtë bënë një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën u shthurën dhe shtoi se shpëtoi mirë me 3 gola.
Egnatia erdhi në këtë ndeshje me moralin e ngritur pas fitores në transfertë. Ishin me tre mungesa dhe kjo e ka forcuar grupin. Të tre lojtarët që i zëvendësuan, bënë shumë mirë. Egnatia mori një fitore të merituar, me lojë të mirë dhe shpirt gare. Lojtarët ishin të bindur për të fituar duelet në fushë. Është skuadër që është ndërtuar për objektiva të larta. Komplimente Egnatias, e kanë kaluar ngërçin.
Partizani tregoi eufori në këtë ndeshje dhe jo vetëm. E kam të vështirë të them që ishte vetëm euforia. Duke parë lojë, Partizani u shthur dhe kaloi në katastrofë. Shpëtoi mirë me vetëm 3 gola. Egnatia vuajti shumë në pjesën e parë, nga Matondo. Partizani u shpërfytyrua papritmas. Kanë dalë shumë të meta. Shumë titullarë kanë humbur formën. Bitri te penalltia, apo edhe te goli tjetër që tentoi driblimin pa lidhje. Bitri sa u konsiderua për Kombëtaren, ka filluar të humbasë formën.



