
Autoritetet kineze kundërshtojnë vendimin e marrë nga vendet e G7 për të vendosur një kufi çmimi për naftën ruse, duke u kërkuar anëtarëve të grupit që të rimendojnë pozicionin e tyre, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning.
Nafta është thelbësore për garantimin e sigurisë globale të energjisë. Ne shpresojmë që vendet në fjalë do të bëjnë përpjekje konstruktive dhe jo anasjelltas.
Nafta është një nga llojet kryesore të mallrave në tregun ndërkombëtar, deklaroi Mao Ning, duke shtuar se në mes të situatës aktuale në botë, shtetet e G7-ës duhet të forcojnë dialogun dhe të çojnë përpara negociatat, raporton Tass.
Pas një takimi të ministrave të financave më 2 shtator në Berlin, vendet e G7-ës ranë dakord të prezantojnë një kufi të propozuar të çmimit të naftës ruse për të kufizuar të ardhurat e vendit nga eksporti i saj.
Moska ka paralajmëruar se do të pezullojë furnizimet me naftë dhe produkte të naftës për shtetet që vendosin t’i bashkohen kësaj nisme.



