
Katër persona janë vënë në pranga për pengmarrjen e një 53-vjeçari, në Kamzë, ngjarje e ndodhur javën e kaluar, e cila ka përfunduar tragjikisht. Sipas policisë, trupi i 53-vjeçarit J.P. nuk është gjetur ende. Forcat Speciale Renea, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë angazhuar në operacionin e koduar “Renea”, që bëri të mundur vënien në pranga të autorëve.
Pas kontrolleve në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, në kuadër të operacionit “Resort” janë vënë në pranga:
L. H., 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë;
O. T., 36 vjeç, banues në Shijak;
E. H., 32 vjeç, banues në Shijak;
B. H., 64 vjeç, banues në Shijak;
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, 4 automjete dhe një shumë eurosh.
53-vjeçari J.P. është rrëmbyer javën e shkuar, dhe nga dhuna e ushtruar nga pengmarrësit ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng.
Hetimet zbuluan se personat e përfshirë në pengmarrje janë kujdesur për ta fshehur trupin e shtetasit J. P., ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.
Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.
Në bashkëpunim me prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në organizmin dhe rrëmbimin e këtij personi, me pasojë vdekjen.



