
Për herë të dytë, lokali i reperit Noizy, është përfshirë nga flakët. Ngjarja është regjistruar orët e para të mëngjesit të së enjtes, ndërsa si autor i dyshuar është arrestuar kushëriri i këngëtarit, 26-vjeçari Eraldo Musteqja. Ky i fundit akuzohet për zjarrëvënie të qëllimshme në mënyrë të përsëritur gjatë muajit qershor, ndaj objekteve në pronësi të familjes Rajku në Durrës. Policia e Durrësit bën të ditur se në orët e para të së enjtes, 26-vjeçari është shfaqur pranë lokalit Zins në Currila të Durrësit me një thikë në dorë dhe i ka vënë flakën ambienteve të jashtme të tij. Zjarrfikësit me të marrë njoftim kanë shkuar dhe bërë fikjen e zjarrit, ndërsa policia ka mundur të kapë autorin e dyshuar që është dhe djali i dajës së Noizyt. Vetë këngëtari ka reaguar pas ngjarjes në rrjete sociale, të cilën e cilëson si akt terrorist. “Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime që në fëmijëri. Eraldo ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist dhe kishte besime të forta se lokalet s’duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrorist. Gjithsesi jeta vazhdon, unë dhe familja ime jemi të gjithë mirë. Uroj që Eraldo të bëhet më mirë dhe të kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rritur me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë. Ziliqar dhe keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti, dhe se si e menaxhon situatën”, shkruan Rajku. Më 11 qershor, në të njëjtin lokal Noizy dhe stafi i lokalit bënë të ditur se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike, mesa duket për të shmangur denoncimin ndaj familjarit të tyre, i cili nuk nguroi të përsëriste veprimin edhe pas restaurimit të lokalit. Ndërsa më 10 qershor, i njëjti person dyshohet se i vuri zjarrin edhe derës së shtëpisë së këngëtarit.



