Analisti Zylyftar Bregu duke folur në MCN Live tha se SPAK-u do ketë goditje në krimin zgjedhor, ndërsa për hetimin e dosjeve të vjetra do ketë një “armëpushim” deri në 12 maj.
Lidhur me kandidatët e listave të hapura, Bregu tha se prania e disa ministrave në nistë të hapur e bën situatën pak delikate.

“Lënia në listë të hapur të tre ministrave që kanë akses në burime njerëzore dhe materiale të shtetit e bën situatën pak delikate, i vendos ata në një sfidë që duan s’duan do të duan të ndikojnë në administratën e tyre, por janë në një lloj sfide për të nxjerrë veten deputet dhe e kanë atë mundësi. Kryeministri do ishte mirë që personat kaq të fortë, si ministri i brendshëm ta vendoste në listë të mbyllur, të shpëtonim nga kjo situatë.
SPAK s’do ketë goditje të nivelit të lartë politik, sa i përket dosjeve të vjetra, dhe zërat thonë që ka pasur një orientim nga kreu i SPAK për të zbutur masat e sigurisë. Por besoj që do bëjë goditje në rastet e krimeve zgjedhore. Se deri ku do shkojë kjo goditje s’di ta them”.
Duke folur mbi raportin e OSBE-ODIHR, tha që një nga gjetjet më të rëndësishme ishte fakti që shumë nga rekomandimet e mëparshme s’janë marrë në konsideratë. Bregu thotë se po ashtu flitet për keqpërdorim të burimeve shtetërore, fushatë brenda institucioneve dhe presion ndaj nëpunësit publik.
“Mendoj që është një raport i ndërmjetëm, me një gjuhë shumë të sofistikuar, për shkak se s’do të ndikojë në procesin e zgjedhjeve, dhe mendoj që gjuha do jetë pak më e fortë në raportin përfundimtar. Kjo gjetje është e konstatuar, dhe e konstatojmë përditë, sidomos për ligjërimin politik të PS dhe PD, ku sidomos z.Rama ka përdorur një gjuhë gati-gati bullizuese ndaj rivalit të tij të PD, dhe siç e konstaton raporti situata e mosbesimit mes dy liderëve është evidente, aq sa ata refuzojnë të konsiderojnë njëri-tjetrin qoftë për të dalë në debate publike.
Gjetjet e raportit janë disa të rëndësishme, më e rëndësishmja është që OSBE-ODIHR thotë që shumë nga rekomandimet tona të mëparshme s’janë marrë në konsideratë. Kjo gjuhë do jetë edhe në raportin e fundit. Siç thotë në një fjali të mëpasshme OSBE-ODIHR, asnjëherë politika shqiptare s’ka bërë një shqyrtim të plotë të sistemit zgjedhor dhe Kodit Elektoral, gjithmonë bëhen arnime të pjesshme, në emergjencën e kohës. Keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe fushatat brenda institucioneve vazhdojnë të jenë shqetësim. Presioni ndaj nëpunësit publik”.



