Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka zhvilluar një takim me drejtorët qendrorë dhe ata vendorë të policisë. Çako i ka falënderuar ata për profesionalizmin gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve.
Çako tha se tani është koha për përmbushjen e një prioriteti tjetër madhor për Policinë e Shtetit, në parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, prioritet ky mbarëkombëtar i shpallur nga qeveria.
“Jemi në një moment shumë deçiziv të një prioriteti tjetër të jashtëzakonshëm do ta quaja, që është ai i planit veprimit të luftës për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të tyre, e cila është një pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare, e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e Policisë së Shtetit.
Ky prioritet kërkon angazhimin e gjithësecilit. Ky aksion kërkon të mos ndalet më në asnjë minutë. Veç aspektit të kontrollit të territorit i cili është baza dhe ju jeni të bindur të gjithë që ky rezultat që kemi aktualisht, është produkt i një pune të nisur që në fillim të vitit, që në janar me kontrollin e të gjitha ambienteve.
Me kontrollin e të gjitha tuneleve, serave ose ambienteve të dyshuara dhe zonave në risk. Çdo moment i fillimit të operacionit, dua që të ketë një angazhim sikur e fillojmë nga e para”, ka deklaruar Çako.



