Sociologia Entela Binjaku për rastin e vetëvrasjes së vajzës 17-vjeçare në Gjirokastër e cila shprehej se ndihej e bullizuar, thotë se po të mos kishte qenë dëshmia e hedhur në letër nga e mitura për mënyrën si është ndjerë ditët e fundit të jetës së saj, ndoshta do ndodheshim në hamendësim të plotë.
Duke folur për MCN Live, Binjaku tha se ajo që tregoi letra dhe shënime të tjera që vajza mbante, tregonin një gjendje të rënduar shpirtërore, për shkak të rrethit të saj shoqëror, mjedisit të saj shkollor dhe në kushte të tilla, nuk ka gjetur forcën t’i përballuar këto përjetime dhe ka shkuar drejt aktit ekstrem.
Sociologia kërkoi që të forcohet bashkëpunimi mes prindërve dhe shkollës.
Ajo që ne nuk bëjmë është që nuk e vendosim grupim vulnerabël në qendër të vëmendjes, për të varfrit, fëmijët me një prind, ata që kanë probleme me komunikimin.
Ajo ishte vajzë e talentuar, kampione në shah, nxënëse shumë e mirë.
Shokët i vinin në dukje se nuk kishte të mirat materiale që të tjerët kishin, se e tallnin dhe kur kishte kërkuar ndihmë te psikologu edhe aty nuk kishte ngjallur besim për gjendjen e saj.
Kjo tregon se strukturat tona nuk janë shumë efiçente, edhe kur na kërkojnë ndihmë.
Nisur nga ajo që vajza ka shkruar se si do i shtyjë gjashtë orë në klasë, tregon gjendja që ka përjetuar prej shokëve të klasës, ishte bërë e padurueshme.
Shqetësimi im lidhet me faktin se edhe pse flasim për shkolla me në qendër nxënësin, mendimi im është që shkollat janë mjaft të mbyllura, nga njëra anë e mbron shkollën nga rreziku që vjen nga jashtë, nga ana tjetër i bën të mbyllura.
Mësuesit tregohen të kujdesshëm që nga klasat e tyre të mos dalë asnjë problem, të mos ketë asnjë problem të disiplinës.
Po ashtu ka dhe mësues që i stepen komunitetit të prindërve. Se shpesh nga prindërit shkolla dhe mësuesi është ndjerë i pambështetur nga prindërit.
Ka prindër të tjerë që e marrin të mirëqenë që fëmija është në shkollë. Unë kërkoj që të forcohet bashkëpunim mes prindërve dhe shkollës.
Mendoj që shkollat tona të jenë më afër jetës reale. Se në këto vite të vegjëlisë ajo që përcillet mbetet.



