Gazetari Arsen Rusta tregoi në Mcn Live dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur dje ku Elvis Shkambi vrau në ambientet e gjykatës gjyqtarin Astrit Kalaja, fill pasi i ndjeri dha vendimin. Rusta bën me dije se vrasja ka ndodhur me një pistoletë “Berretta”, ku është qëlluar me 5 plumba, ku 3 kanë prekur trupin e magjistratit të ndjerë Astrit Kalaja. Në sallë ishin 8 vetë, mes të cilëve edhe dy gjyqtare kolege të të ndjerit, që ishin pjesë e trupit gjykues.
“Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja ndodhi në një sallë ku ishin 8 veta, mes të cilëve edhe dy anëtare, dy gjyqtare kolege të z.Kalaja, pasi z.Kalaja ka qenë relator, por jo gjyqtar i vetëm. Është qëlluar me 5 plumba, 3 prej tyre kanë prekur trupin e magjistratit të ndjerë Astrit Kalaja, dhe dy të tjerë kanë plagosur palët ne proces. Shtetasi Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi, nip dhe xhaxha janë arrestuar për vrasje të kryer në bashkëpunim në rrethana cilësuese ndaj funksionarëve të shtetit dhe armëmbajtje e plagosje. 6 minuta ka zgjatur skenari kriminal. Ishte kundërshtimi i një veprimi përmbarimor për të nxjerrë apo jo jashtë pronës disa familje të tjera, dhe në momentin që s’pranohet veprimi përmbarimor ekzekutohet gjyqtari në shenjë hakmarrje. Ishte një pistoletë e modifikuar Berretta. Është një dinamikë që daton 3 dekada më parë, një konflikt pronësie ku janë përfshirë palë private dhe institucionet e shtetit”.



