
Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka certifikuar rezultatet finale të zgjedhjeve në Kosovë, koalicioni Nisma – AKR – PD nuk ka arritur t’i grumbullojë votat e nevojshme të hyjë në Kuvendin e Kosovës.
Në mungesë të 134 votave koalicioni Nisma – AKR – PD nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e ardhshme. Ndonëse zyrtarë të këtij koalicioni ishin shprehur të bindur se i kanë grumbulluar votat e nevojshme për të qenë pjesë e Parlamentit, rezultatet e deritanishme nga zgjedhjet e 6 tetorit e tregojnë të kundërtën.
Koalicioni Nisma – AKR – PD ka marrë 42 mijë e 72 vota, mirëpo i mungojnë edhe 134 vota për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Pragu minimal për të siguruar ulëse në Kuvend është 5 për qind, të cilin ky koalicion pretendon se e ka kaluar, por dyshon se kishte parregullsi gjatë numërimit, kështu që synon të kthejë procesin në rinumërimin e të gjitha votave.
Ankesat e paralajmëruara nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, mund të çojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në instanca tjera, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).



