
Lideri i Lartë i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të shtunën se një sulm mbi një paradë ushtarake në Iranin jugperëndimor ishte i lidhur me "aleatët e Shteteve të Bashkuara në rajon" dhe urdhëroi forcat e sigurisë t'i sjellin autorët para drejtësisë.
"Ky krim është një vazhdim i parplasjeve të shteteve rajonale që janë kukulla të Shteteve të Bashkuara dhe qëllimi i tyre është të krijojnë pasiguri në vendin tonë të dashur", tha Khamenei në një deklaratë të botuar në faqen e tij të internetit.
Ai nuk përmendi emrat e shteteve, por aleatët e SHBA-së në rajon përfshijnë armiqtë e Iranit, Izraelin dhe shtetet e Gjirit Arab, veçanërisht Arabinë Saudite.
Presidenti iranian, Hassan Rohani premtoi sot një përgjigje të tmerrshme të vendit të tij pas sulmit kundër një parakalimi ushtarak, ku mbetën të vrarë 29 persona në jugperëndim të Iranit.
“Përgjigja e Republikës Islamike ndaj kërcënimit më të vogël do të jetë e tmerrshme”, deklaroi Rohani, sipas një komunikate të publikuar në faqen tij zyrtare të internetit.
“Ata që mbështesin me informacione dhe propagandë këta terroristë do të përgjigjen”, thuhet në këtë komunikatë.
“Deri tani, ky sulm terrorist ka bërë 29 martirë dhe 57 të plagosur”, njoftoi Al Alam, televizioni zyrtar në gjuhë arabe duke cituar deputetin Mojtaba Zolnouri, anëtar i komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.



