
Gazetari Klodian Tomorri foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi zhvillimet e fundit politike, ku ministrja Olta Xhaçka e pranoi sot që bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik, por sipas saj konform ligjit. Tomorri tha se kemi të bëjmë me përfitime ekonomike nga kompania, që potencialisht mund të përfitojë para publike duke pasur statusin e investitorit. Sipas Tomorrit kjo çështje kërkon një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Çështja është e thjeshtë, kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Kemi kompani në pronësi të bashkëshortit, rrjedhimisht të ministres, që ka marrë një favor publik, përdorimin për 30 vjet të një plazhi në Himarë. Sigurisht që është përfitim ekonomik. Do ndërtosh hotelin dhe u ofron pushuesve plazhin. Kushtetuta thotë që një deputet, anëtar i qeverisë, s’mund të marrë përfitime ekonomike që burojnë nga shteti dhe pushteti vendor. Jemi në një rast ku lidhja e ministrisë së Jashtme me kompaninë është e drejtpërdrejtë. Bashkëshorti figuron pronar në masën 100 për qind. Statusi i investimeve strategjike përveç se të ofron plazhin publik, të mundëson që me paratë e buxhetit të shtetit infrastruktura, qeveria të bën rrugën, stacionin elektrik dhe ujësjellësin të hoteli me paratë e qytetarëve. Nuk e dimë nëse janë shpenzuar para publike aty për hotelin, por potencialisht kur merr statusin i ke këto të drejta. Me vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike që e shpalli kompaninë si investitor strategjik, automatikisht i transferohen një sërë përfitime potenciale. Nëse do materializohen ose jo është çështje tjetër. Nëse çështja do shkojë në Kushtetuese, ajo këtë interpretim do bëjë. A është një përfitim ekonomik i papajtueshëm me Kushtetutën apo jo”.
Tomorri i konsideroi argumentet e ministres si qesharake, duke u shprehur se lidhja në këtë rast është flagrante, pasi vendimi është marrë kur ministrja ishte në detyrë. Ai thekson se mandati i Olta Xhaçkës është tanimë në rrezik.
Ky është argument qesharak. Nga marrja e plazhit nuk përfitojnë pushuesit në hotel sepse s’kemi të bëjmë me OJF me qëllime bamirësie. Kompania do ta ndërtojë hotelin me qëllime përfitimi. Nuk është përfitim i pushuesve, por i kompanisë. Kjo ishte çështje e denoncuar nga ne, ishte MCN që e publikoi fillimisht këtë skandal. Ishte me impakt të lartë derisa shkoi në këto nivele. Është hera e parë kur Komiteti i Investimeve Strategjike merr vendim për një kompani në pronësi të një anëtari të qeverisë. Në këtë rast lidhja është flagrante. Kemi një vendimmarrje që ka ndodhur gjatë kohës që znj. Xhaçka ka qenë në detyrë. Mandati i zonjës Xhaçka është me të vërtetë në rrezik”.
Një ditë më parë edhe ministrja e Kulturës, Margariti pranoi se 800 hektarë nga zona e Mbrojtur e Butrintit u hoqën për të rregulluar atë që ajo e quajti Bathoren e Butrintit. Tomorri e konsideroi argumentin si qesharak dhe të rrezikshëm, pasi me të njëjtën skemë mund të vijojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura.
Aty përfliten disa projekte. Argumenti i qeverisë që hoqën 800 hektarë nga zona e mbrojtur për shkak se ishte ndërtuar dhe bathorizuar, është argument qesharak totalisht dhe i rrezikshëm. Me këtë skemë mund të ndërtohet sërish, dhe zgjidhja do jetë hajde ta nxjerrim prapë. Shteti ka rregulla, nuk të lejon të ndërtosh në zonat e mbrojtura. Kjo histori mund të vazhdojë dhe të shkatërrojë çdo park dhe zonë të mbrojtur në këtë vend. Aty është përfolur për disa projekte dhe biznese në atë zonë. Deri tani kemi një leje ndërtimi. Flitet për projekte të tjera dhe biznesmenë të tjerë që do të ndërtojnë. Është një batërdi e madhe që s’po kursen me asnjë cep te bregdetit të Shqipërisë. Ka një batërdi tjetër që lidhet me mënyrën si janë përfituar ato toka. Z. Lame pas 9 vitesh del edhe thotë që janë grisur regjistrat, a thua se qeveria është një OJF dhe s’e kanë këta detyrë me ligj për të mbrojtur pronat e shqiptarëve. Në bregdet kjo batërdi ka qenë shumë më e madhe se pjesët e tjera të vendit”.



