Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj thotë se nga të dhënat që janë marrë përgjatë periudhës 2016-2022 referuar dhe hetimit për krimin zgjedhor dhe në zgjedhjet e fundit, ka shifër të errët për krimet zgjedhore.
Nga studio e MCN Live, Skëndaj deklaroi se ka shumë pak kallëzime që janë bërë nga qytetarët që duhet të preken drejtpërdrejtë dhe se denoncuesit kryesorë janë partitë politike.
Nga ana tjetër, Skëndaj tha se prokuroria ndjek standard të dyfishtë për zyrtarë të niveleve të larta, të përfshirë në krimin zgjedhor.
Numri i rasteve të referuara është i konsiderueshëm, çështjet që referohen janë shumë më pak dhe në gjykatë dërgohen vetëm 21%, ndërsa 79 për qind të tjera ndalen me vendime mosfillimi, ose me pushim të çështjes dhe të akuzës.
Nëse do të zbatohej legjislacioni, do të kishim standarde më të mira. Nuk është se qytetarët nuk kanë ndërgjegjësim, por çështja është nëse kanë besim se nëse denoncohet a do të ketë hetim të paanshëm, se të dhënat tregojnë se shpesh herë çështjet mbyllen, nuk fillon procedimi penal dhe prokurori konkludon se fakti penal nuk ekziston.
Por ndonjëherë nuk ka verifikime të mirëfillta. Këtu lind pikëpyetja se qytetarët nuk e gjejnë besimin tek autoritetet.
Çështja më madhore në gjithë këtë diskurs, është a ka treguar Policia e Shtetit objektivitet dhe paanshmëri, rastet që kemi marrë në analizë tregon se jo gjithmonë është ndjekur i njëjti standard.
Në verifikimet e kryera, rezulton se disa çështje janë mbyllur dhe në disa raste ka pasur hetime të mirëfillta.
Për zyrtarët e lartë edhe pse dalin në transkriptimet e prokurorisë, janë zero raste të dërguara në gjykatë nga 2016-2022.
Shifra e pandëshkueshmërisë e zyrtarëve të lartë për mos ndëshkimin zgjedhor është një nivel shumë i lartë.
Pjesa më e madhe e të ndëshkuarve janë aktivistë, të cilët janë ndërmjetës. Ndërkohë që ka shumë zyrtarë të përfshirë, por që shumë pak janë dërguar në gjykatë.
Në rastin e Himarës, ka të dhëna që implikojnë Fredi Belerin. Por mendoj se standardi i Himarës, duhet të zbatohet edhe në raste të tjera, si rasti i bashkisë së Roskovecit, edhe në rastin e bashkisë Patos, për të treguar besueshmëri, aq më tepër kur flasim për zyrtarë të nivelit të lartë.
Fakti që kryebashkiakët e tjerë nuk morën as masa më të buta sigurie, tregon standard të dyfishtë nga organi i akuzës.
Rasti i bashkisë së Dibrës, një kalvar i gjatë hetimor dhe një kalim i akteve ku pretendohej moskompetenca e Krimeve të Rënda, kthimi sërish në Dibër, i kalon SPAK dhe më pas i kalon prapë Dibrës.
Ajo që pritej nga SPAK ishte që të hetonte zyrtarët e nivelit të lartë. Procesi jo vetëm që zgjati shumë, nuk pati hetime të këtyre zyrtarëve, por pati dhe parashkrim, sepse kishin kaluar afatet hetimore.
Edhe për ata zyrtarë që u vërtetua se kishte përgjegjësi penale në shit-blerjen e votës, në fund rezultoi se pati një pushim të akuzës se afatet hetimore kishin kaluar.
Është një sfidë e madhe për organin e akuzës që të ndjekë standarde të njëjta. Duhen krijuar task forca në çdo prokurori, me prokurorë të specializuar për hetimin e krimit zgjedhor.
Është shumë e rëndësishme që trupa që merret me hetimin e rasteve të mos ketë lidhje me ekzekutivin. Hetimet nuk duhet të fokusohen në ato ditë para zgjedhjeve.
Shkeljet në vetvete nuk fillojnë ato ditë, por me muaj më para dhe prokuroria duhet të rrisë vigjilencën shumë muaj më para.



