Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla deklaroi se fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit do t’u lejojë qytetarëve të zgjedhin kandidatin dhe partinë.
Në një prononcim për mediat, ai tha se partitë politike nuk duhet të përfshihen në debat për këtë çështje, sepse vendimmarrja i takon KQZ.
Ai sqaroi se fleta e votimit do të jetë e kompozuar në dy pjesë, ku do të votohet jo vetëm për subjektin politik, por edhe kandidatin.
“Unë nuk do doja që partitë politike të hyjnë në një diskutim të tillë. I takon KQZ që të përcaktojë një fletë votimi që të jetë e thjeshtë për qytetarët dhe që mos të çojë asnjë votë të pavlefshme. Në këtë këndvështrim, dua të them edhe një herë vlerësimin tonë se për herë të parë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që të votojnë për kandidatin që ata duan dhe jo vetëm për subjektin politik. Fleta e votës do të jetë e përbërë nga dy pjesë, kandidati, por dhe pjesa tjetër, me numra apo shkurtime, që e cakton KQZ. Eksperienca ka treguar që të përdoren numrat për të arritur në formësimin e një flete votimi të vogël, për t’u administruar".
Balla theksoi se nuk gjen arsye pse PD nuk do që numërimi elektronik të testohet në Tiranë, ndërsa shtoi po ashtu se nuk e kupton pse dy partitë e opozitës nuk e duan votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.
“Është shumë e qartë që disponibliteti ynë ka qenë për të testuar teknologjinë në një zonë e cila të ketë mundësi të mos dështojë, të mos pengojë në rezultatin e zgjedhjeve. Nuk gjej arsye pse PD nuk do që të testohet në Tiranë. Më së fundmi kemi PD, LSI që kanë shprehur disponiblitetin për të marrë pjesë në zgjedhje, madje një pjesë janë regjistruar. Na rrofshin votat ne politikanëve, nëse takimet tona politike kthehen në shpërndarës dhe aleat të Covid-it. E ritheksoj nevojën e respektimit të masave. Se ku do të testohet teknologjia, le ta vendos KQZ. Është e papranueshme, dhe nuk kam arritur ta kuptoj pse PD dhe LSI nuk e duan votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut”, u shpreh Balla.



