Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha sot se do të duheshin "dekada" që një kandidat si Ukraina të anëtarësohej në BE dhe sugjeroi ndërtimin e një komuniteti më të gjerë politik të shteteve demokratike rreth bllokut.
"Edhe nëse do t'u jepnim atyre statusin e kandidatit nesër", tha ai për Ukrainën, "ne të gjithë e dimë shumë mirë se procesi i bashkimit të tyre do të zgjaste disa vjet, në të vërtetë pa dyshim disa dekada".
Por, duke vënë në dukje urgjencën për t'i dhënë Ukrainës dhe vendeve të tjera aspirante për pranimin në BE si Moldavia dhe Gjeorgjia një vend në zemër të Evropës, ai bëri thirrje për krijimin e një "komuniteti politik evropian".
Rusia hyri ushtarakisht në Ukrainë në shkurt, pjesërisht për të penguar prirjen e Kievit drejt integrimit në BE dhe NATO.
Pak përpara fjalimit të Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, postoi në Tëitter se ekzekutivi i BE-së do të shprehet me opinion mbi ofertën e anëtarësimit të Ukrainës në qershor.
Ajo që sugjeron Macron është krijimi i një entiteti paralel që për vendet që aspirojnë të bashkohen me bllokun ose, në një referencë të dukshme për Britaninë, vendet që vendosin largimin nga Unioni.
"Është detyrimi ynë historik ... të krijojmë atë që unë do ta përshkruaj para jush sot si një komunitet politik evropian", tha ai.
"Kjo organizatë e re evropiane do t'u mundësojë kombeve demokratike evropiane ... të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim në energji, transport, investime, infrastrukturë, lëvizjen e njerëzve."



