
Aktorja me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, ka rrëfyer se është ngacmuar seksualisht kur ishte vetëm 12 vjeçe. Duke u solidarizuar me lëvizjen #MeToo, Dushku është shprehur se gjatë xhirimeve të filmit “True Lies”, është ngacmuar seksualisht nga Joel Kramer, një nga kordinatorët e njohur të Hollivudit.
Në postim në “Facebook”, Dushku tregon sesi Kramer ndërtoi me të një marrëdhënie besimi, të tillë që i bëri të mundur lejen e prindërve të saj për të kaluar kohë vetëm për vetëm me të. Ai duhej ta çonte te pishinat e stafit dhe më pas për një darkë me sushi. Por planet e tij të vërteta ishin të tjera.
“E mbaj mend si të kishte ndodhur sot. Ai mbylli perdet dhe uli ndriçimin. E mbaj mend sesi edhe filmin që po jepej në televizor, mbaj mend sesi ai shkoi në banjo dhe u kthye prej andej pothuajse lakuriq, me një peshqir të vogël të lidhur në mes. E mbaj mend çfarë kisha veshur (një palë pantallona xhins të bardha, fatmirësisht të mbërthyera aq mirë sa të mos hiqeshin lehtë). E mbaj mend si me shtriu në krevat dhe më mbërtheu me trupin e tij gjigant”, tregon ajo detajet e ngjarjes së ndodhur shumë vite më parë.
Dushku thotë se gjatë xhirimeve të filmit, ai ishte personi që duhej të garantonte sigurinë e saj, por në të vërtetë ishte abuzuesi.
“Hollivudi për mua ka qenë pozitiv në shumë mënyra. Pavarësisht kësaj, Hollivudi nuk më mbrojti mua si aktore fëmijë. Më pëlqen ta mendoj veten si garipe Bostoni, por kanë qenë fansat e mi që përgjatë viteve më kanë treguar sesi personazhet e mia i kanë ndihmuar ata të ngrihen kundër abuzuesve të tyre. Tani jeni ju ata që më jepni forcë dhe mbështetje. Mendoj se rrëfimi i kësaj përvoje do t’i ndihmojë viktimat e tjera të ngrihen kundër abuzimit”, shprehet Dushku.
Joel Kramer, që Dushku e denoncoi si abuzues, vijon të punojë në Hollivud. Ai ka pasur detyrën e kordinatorit në filma të mëdhenj të viteve të fundit si “Blade Runner 2049”, “Star Trek: Discovery” dhe “Westworld”.



