Ajo që nxori dosja Metamorfoza dhe hetimi ndaj Dedian Gjonit e ka vënë para një presioni shumë të madh Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për të larguar efektivët, të cilët u shërbejnë grupeve kriminale.
Në dosjen "Metamorfoza" pamë se si ish-shefi i komisaritait dy në Tiranë, Olstion Bistri dhe Adrit Hasabejag, shef i krimit të organizuar në policinë e Shkodrës, u jepnin informacion personave të ndryshëm, i pari duke dekonspiruar operacione të kolegëve të tij dhe i dyti furnizonte grupin Bajrave me informacione për kundërshtarët e tyre.
Hetimi ndaj Dedian Gjonit na dha një tjetër këndvështrim se deri ku kishte arritur përfshirja e oficerëve të policisë në paligjshmëri dhe forma me të cilën e bënin. Nxjerrja në pritë e personave të cilët shoqërohen nga policia në komisariat ka bërë që ministri i Brendshëm, Taulant Balla, të përsërisë disa herë nevojën për një vetëpastrim të Policisë së shtetit nga elementët të cilët bashkëpunojnë me grupet kriminale.
Ministri Balla gjatë një vizite në Britaninë e Madhe kërkoi eksperiencën e tyre për të hetuar punonjësit e policisë në raport me përdorimin e aplikacioneve apo telefonave Encro.
Por dosja e fundit e SPAK tregoi se një punonjës policie nuk e pengon mungesa e një aplikacioni të tillë për të dhënë informacion tek grupet kriminale. Dedian Gjoni përdori Whatsap për të komunikuar dhe është e paqartë se si institucionet do të kontrollojnë të gjitha platformat e komunikimit që përdor një punonjës i policisë.
Në të tilla kushte do të duhej një ndërhyrje radikale për të përcaktuar qartë mënyrën dhe pajisjen me të cilën do të duhet të komunikojë një polic.
Në një situatë të tillë ku reagimi i institucioneve është i nevojshem kemi parë dy lëvizje të Ministrisë së Brendshme. E para ka të bëjë me rifillimin e vetingut në Policinë e Shtetit, një proces i cili u përmend për herë të parë në vitin 2018 nga ish-ministri Fatmir Xhafaj.
U ngrit një strukturë e re siç ishte Komisioni i Vlerësimit të Jashtëm, i cili do të kalonte në sitë rreth 300 drejtues të policisë.
Në fillim të vitit 2020 një numër shumë i vogel shefash policie dolën para komisionit dhe në mënyrë të pashpjegueshme procesi u ndërpre. Edhe ato pak muaj që funksionoi, vendimet e këtij komisioni hapën debate pasi largoi nga detyra oficerë karriere, të cilët kishin kryer beteja me krimin e organizuar.
Ngecja e këtij procesi erdhi dhe pas largimit të Fatmir Xhafaj nga detyra e ministrit të Brendshëm. Pasardhësit e tij, Sandër Lleshaj dhe Blendi Çuçi, e ngadalësuan këtë proces derisa në vitin 2022 Çuçi njoftoi ndryshimin e ligjit për vetingun në polici. U shkri komisioni i jashtëm dhe procesi tani do te kryhej nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Pavarësisht kësaj, vetingu nuk nisi deri në fund të vitit 2023 për shkak se shume institucione nuk ishin gati për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore.
Por hetimet e SPAK për aplikacionin Sky ECC, ku shumë oficerë policie dyshohet se e kanë përdorur dhe kanë bashkëpunuar me grupet kriminale detyruar ministrin e Brendshëm të kërkojë rinisjen e këtij procesi me shpejtësi.
Në këtë situatë, ministri i Brendshëm njoftoi edhe një tjetër nismën për atë që ai e quan vetëpastrim i policisë nga elementët të cilët bashkëpunojnë me antiligjin.
Taulant Balla në 4 dhjetor të 2023 firmosi një urdhër ku kërkonte nga çdo punonjës polici dhe gardës së republikës të deklaronin nëse kishin përdorur ndonjëherë aplikacionin Sky ECC apo çdo platforme Encrochat.
Ky urdhër i shoqëruar seabshku dhe formularin që duhet të plotëosjnë rreth 12 mijë oficerë me qëllim identifikimin e tyre, arsyet pse e kanë përdorur dhe kohën kur e kanë përdorur.
1 muaj kohë iu la punonjësve të policisë për të plotësuar këtë formular dhe ne fund të vitit në takimin me gazetarët drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se asnje polici nuk i ka përdorur këto mënyra komunkimi bazuar në formularët e plotësuar.
Ky proces pritet të hyjë në tjetër fazë duke kaluar në sitë informacionin që kanë deklaruar punonjësit e policisë duke e kryqëzuar atë më të dhena që agjencitë e ligjit disponojnë.
Në të njëjtën kohë, SPAK është duke hetuar dosjen e Sky ECCm e mberritur nga autoritete franceze dhe ato hollandezem ku dhjetra oficerë policie e kanë përdorur këtë aplikacion për të komunikuar me eksponentë të botës së krimit dhe u kanë marrë favore atyre.
Por përpara se hetimet SPAK të përkthehen me vendime Ministria e Bredshme dhe policia e shtetit po mundohen që të marrin masa për të krijuar idenë se ato po ndërhyjnë me mekanizmat e tyre për t'i paraprirë hetimeve që po kryhen.
Por a do të mundë që vetingu në polici dhe vetëdeklarimi nëse kanë përdorur Sky ECC të pastrojë policinë para se ta bëjnë hetimet e SPAK? Kjo mbetet për t'u parë edhe pse në korridoret e SPAK flitet se dosjen e Sky ECC, e cila është duke u zbardhur nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë më dhjetra oficerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Gjatë hetimeve të prokurorisë së posaçme për oficerë të policise kemi parë që ata nuk i pengon pasja e një telefoni Encro për të dekonspiruar operacioni apo shitur informacion. Këto gjëra ata i bëjnë edhe me aplikacione të tjeram të cilat janë të përdorshme nga të gjithë. Prandaj Ministria e Brendshme si autoritet politik dhe Policia e Shtetit si autoritet zbatues janë të paqarta si do të gjejnë një mënyrë ligjore se me çfarë aplikacionesh duhet të komunikojë një oficer policie, pa i cenuar edhe të drejtat e tij mbi privatësinë.



