
Zyrtarizimi i pritshëm i daljes së Britanisë nga BE-ja dhe lufta tregtare Kinë-SHBA po i ndryshon skemat e bashkëpunimit ekonomik në nivel botëror. Ndërsa Londra pritet të largohet nga BE-ja, Kina shpreh gatishmërinë e saj për t’u bërë partnere në tregti. Zëvendëskryeministri kinez, Hu Chunhua, i tha ministrit britanik të Tregtisë, Liam Fox, se Kina është e gatshme për të forcuar lidhjet e biznesit me Britaninë.
Por edhe nga ana e Britanisë, mesazhet drejtuar kompanive kineze në prag të largimit nga BE-ja nuk kanë qenë të pakta, raporton Reuters. Kina shihet si një nga vendet me të cilat pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje të tregtisë së lirë menjëherë pas vënies në zbatim të Brexit-it.
Zëvendëskryeministri kinez është shprehur për Fox News se e sheh Britaninë si një potencial jashtëzakonisht të rëndësishëm. Megjithatë, bisedimet zyrtare në këtë nivel mes dy vendeve nuk mund të nisin pa u zyrtarizuar largimi i Britanisë nga BE-ja.



