Afro tre javë pas shfaqjes filmi “Barbie”, i regjisores dhe shkrimtares Greta Gerwig ka arkëtuar një vlerë vërtet befasuese, plot 1.03 miliardë dollarë në rang global, sipas vlerësimeve nga Warner Bros. Kjo e bën Gerwig regjisoren e parë femër me një film miliarda dollarësh.
"Unë kam qenë në këtë lojë për 30 vjet dhe fenomeni Barbie dhe Barbenheimer është sa i paprecedentë aq edhe i paparashikueshëm," tha Paul Dergarabedian, analist i lartë i medias në Comscore.
Sipas Dergarabedian, vetëm rreth 50 filma në histori, kanë arritur shifrën e miliardë dollarëve. Ai shtoi se fushata e marketingut të filmit ishte sinjali i parë që "Barbie" do të ishte një goditje në arkë.
"Fushata e marketingut për ‘Barbie’ vuri në lëvizje një zinxhir ngjarjesh që çuan në shtimin e fjalës ‘Barbenheimer’ në leksikun popullor për shkak të datës së përbashkët të publikimit me ‘Oppenheimer’ dhe që atëherë ne të gjithë dinim diçka shumë e veçantë dhe unike do të krijonte një rezultat shumë më të madh se sa pritej për filmin, jo vetëm për fundjavën e hapjes, por për shfaqjen e tij globale nëpër kinema", shton ai.



