Urdhër-arrestet për IT-të e DAP/ Meksi: Janë koka turku, nuk mund të kërkosh burg për paaftësi (VIDEO)   

Urdhër-arrestet për IT-të e DAP/ Meksi: Janë koka turku, nuk mund të kërkosh burg për paaftësi (VIDEO)   

Drejtori i përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, e cilësoi të trupshme kërkesën e prokurorisë për arrestimin e pesë punonjësve të DAP-it, lidhur me sulmet kibernetike që gjunjëzuan AKSHI-n në korrik të këtij viti. Në një bisedë në studion e lajmeve, Meksi tha se prokuroria i akuzon pesë IT-të e DAP për mosveprim, duke mos sqaruar deri në fund akuzën. I pasqaruar sipas Meksit mbetet edhe roli i Operatorit Ekonomik.

Kërkesa e prokurorisë dhe vendimi i gjykatës për detyrim paraqitjeje është një turp i madh. Është eksperienca e parë e prokurorisë shqiptare me sulmet. Prokuroria nuk ka bërë asnjëherë asnjë lloj zbardhjeje.

Të kërkohet faji te 5 ekspertë të DAP-it, të cilët, sipas informacioneve që ka MCN TV, janë përjashtuar nga DAP para datës 15 tetor, kjo është një marrëzi. Po të shohësh tekstin e prokurorisë, ata akuzohen për mosveprim. Pra nuk kanë bërë diçka, nuk kanë qenë të aftë të bëjnë diçka. Pra si i bie, të gjithë ata avokatë që ka shteti, kur nuk ia dalin të mbrojnë interesat e tij, të futen në burg?

Nëse janë të paaftë, le të pushohen nga puna. Nuk ka sens që pesë IT të jenë fajtorë për një sulm që vjen nga një njësi ushtarake e specializuar për sulme të tilla. Këta të 5 qenkan fajtorët? Për mosveprime në çfarë sensi? Në zbatimin e urdhrit të titullarit?

Një punëtor që paguhet 700 mijë lek është fajtor se nuk ka njoftuar operatorin ekonomik të bëjë punën e tij. Kush është operatori ekonomik? Le ta nxjerrë prokuroria. Ky është një turp i madh. Do mbyllet si përherë, do kalojë në heshtje dhe do harrohet.

Meksi theksoi se nuk ka sens të kërkohet masë arresti për paaftësi, ndërsa shtoi se i takon prokurorit të çështjes të vendosë nëse hetimi do të përfshijë të tjera instanca.   

Këta mund të jenë të paaftë, ka të tillë sa të duash në sektorin e IT. Ka një problem që vjen që nga keqformimi. AKSHI shumë mirë që i gjeti këta. Por prokuroria nuk ka sens që të kërkojë masë arresti. Mosveprimi është paaftësi. Janë njerëz që janë paguar pak dhe nuk presim prej tyre të bëjnë çudira. Por të kërkosh burg për paaftësi, kjo është e frikshme. Nëse ka mosveprim, ka një urdhër që i është dhënë këtij punonjësi? Në kontratë e ka edhe pala private detyrimin.

Prokurori që ka dosjen mund të ketë marrë ekspertë. Ai duhet të gjykojë nëse hetimi shkon në të tjera instanca. Sulmi erdhi në 9 shtator te Ministria e Jashtme, një muaj e ca ditë pas sulmit ndaj AJSHI-t. Kush e ka përgjegjësinë në këtë rast? Aty ke një ekip të tërë që nuk ka bërë asgjë.

Sipas Meksit, është e domosdoshme që në të mirë të përballimit të situatave të ngjashme në të ardhmen, të gjenden fajtorët e vërtetë dhe të mos bëhen koka turku disa individë në nivelet e ulëta të administratës.  

Në momentin që gjenden pesë koka turku, të na bindin se ata janë fajtorë. Ka ndodhur një rrjedhje masive të dhënash. Në rastin konkret, nëse duam të përmirësojmë situatën, nuk duhet të bëjmë fajtorë të kotë.

Shija është e hidhur, gjenden pesë persona në nivelin më të ulët të administratës. Probleme do të ketë edhe në të ardhmen. Kjo është sfidë e kohës. Rrjedhje të të dhënave raportohen përditë.

Kërkon një analizë rrënjësore të mënyrës si është vepruar deri tani. Investimet publike bëhen me formën e tenderimit me një palë private. Roli i nëpunësve shtetërorë është i ulët.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy