Ndryshimet në ligjin hungarez që e detyruan Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), të mbështetur nga George Soros, të largohej nga vendi, nuk janë në përputhje me ligjin e BE. Ky është vendimi i gjykatës më të lartë të Bashkimit Europian, e cila të martën konkludoi se me këtë ligj, Hungaria dështoi në respektimin e zotimeve të përcaktuara nga Organizata Botërore e Tregtisë.
Ai gjithashtu tha se ligjet ishin në kundërshtim me dispozitat e Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së.
Ligji i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili kërkonte që universitetet e huaja të kryenin aktivitete arsimore në vendet e tyre të themelimit, u pa gjerësisht si një sulm politik kundër Soros pasi e vendosi “ne vijën e zjarrit” universitetin në fjalë.
Orban ka qenë prej kohësh kundërshtar i ashpër i financierit hungarez-amerikan. Ai pretendon se pikëpamjet liberale të Soros për migracionin minojnë vlerat evropiane.
Në vitin 2018, Orban hartoi dhe miratoi një ligj "Stop Soros", i cili së fundmi çoi në mbylljen e degës së fondacionit të Sorosit në Budapest.



