
Shpërthimi në një central elektrik ka krijuar panik në Nju-Jork. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Astoria, në Queens. Drita që pasoi shpërthimin ishte e dukshme edhe në Nju-Xhersi, çka shkaktoi shqetësim te banorët. Në pak minuta, rrjetet sociale u mbushën me postime. Kjo e detyroi kryebashkiakin Bill de Blasio të ndërhynte për të qetësuar njujorkezët.
“Nuk ka asnjë pushtim alien apo kërcënim që vjen nga hapësira”, ishte postimi i tij. Mund të duket si batutë, por në fakt nuk ishte e tillë, pasi edhe Departamenti i Policisë së Nju-Jorkut e bëri një sqarim të tillë. Për arsye sigurie, autoritetet vendosën mbylljen e aeroportit La Guadia, pasi pati edhe ndërprerje të energjisë. Nga incidenti nuk ka asnjë të plagosur.



