
Gazetari Denis Dyrnjaja tha në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se në 30 vite roli i ndërkombëtarëve ka qenë determinant në Shqipëri.
Dyrnjaja tha se nuk e bezdis roli i tyre, por tregon sa të degraduar jemi ne nga pikëpamja e emancipimit politik.
Dyrnjaja thotë se jemi qesharakë me "Republikën e Ambasadorëve dhe Pseudo-Republikën!"
Nuk më bezdis roli i të ndërkombëtarëve, por tregon sa të degraduar, sa rëndë jemi nga pikëpamja e emancipimit politik. Ka filluar me Rajersonin që ka thyer çdo barrierë diplomatike, se ne e justifikojmë me faktin që ishte periudha, ishte momenti. Por në konceptin diplomatik ajo është një thyerje e rëndë e sjelljes diplomatike, që nja ambasador rreshtohet politikisht. Po ta vendosësh në kontekstin e kohës, ishte një gjë e jashtëzakonshme dhe e duhur, që të mbështeste ardhjen e një partie të re. Ishte PD, partia që u mendua, që krijoi oksigjenin pluralist në Shqipëri, dhe në atë moment na nevojitej një përkrahje, aq më tepër nga SHBA-të, që për ne ishte fanari ndriçues i demokracisë. Ne gjithmonë kemi referuar me fanarin ndriçues, ose ishim vetë, ose e shikonim te të tjerët fanarin ndriçues. Dikur ishte nga Lindja pastaj kaloi në Perëndim!
Për mendimin tim ata kanë qenë prezentë gjatë gjithë kohës, tepërueshëm. Ambasadori amerikan është kryesisht ai që është më i ndikueshëm. Në fillim të viteve të para demokracisë ka qenë pak edhe ambasadori italian sepse kishim një marrëdhënie pak specifike, dihej se kush ishte ambasadori italian, derisa erdhi duke u venitur dhe tani nuk e dimë se kush është ambasadori italian, vetëm kur ka ndonjë lajm. Kryesisht ne dimë kush është ambasadori amerikan. Ai merret vesh si emër dhe fillohet bëhet një lloj investigimi i yni. Fillohet ky interpretimi konspiracional, që jo po ky është me PD-në, ky vjen me të majtën! Të gjithë ambasadorët që vijnë përfundojnë me konflikt me PD-në gjithmonë! Në fund fare mbyllet me konflikt historia. Të gjithë ambasadorët kanë ardhur me mendje tjetër, kanë ikur me mendje tjetër. Nuk e di pse ndodh kjo. Unë e kam një mendim, por derisa s’e kam provuar, s’dua të hyj në spekulim. Në 30 vjet ata kanë qenë determinant. Fillimi i demokracisë, mesi i demokracisë, me atë tronditje që pësoi me 97-ën, ishte prapë Marisa Lino që vendoste me përballje me Berishën, prapë sot kemi përballje me Berishën. I vetmi që ka qenë pro Berishës, ishte Rajersoni, për shkak se ishte momenti.
Ne jemi qesharakë me Republikën e Ambasadorëve dhe Pseudo-Republikën. Ne duhet ta riformojmë republikën edhe njëherë komplet, me kushtetutë dhe institucione, duhet ta rimendojmë edhe një herë por nuk kemi njerëz të cilët t’u japim besim ta bëjnë këtë gjë, sepse janë mpleksur aq shumë njerëzit dhe interesat sa nuk ke kujt ia beson këtë gjë. Ndoshta duhet t’ua besojmë ndërkombëtarëve që të na sjellin një draft kushtetues.



