
Situata e tensionuar politike Rusi-Ukrainë ka rritur frikën e një pushtimi të mundshëm. Lidhur me këtë temë, konsulli i nderit të Ukrainës në Shqipëri, Bledi Bajraktari tha në MCN se shanset për luftë dhe përcaktimi i datës nga disa vende i duket absurde. Sipas tij kjo situatë po krijon më shumë frikë nga mediat sesa ndihet realisht në popullsinë ukrainase.
Sipas Bajraktarit, Ukraina ka 8 vite që përgatitet për mbrojtjen e territorit, por sipas tij lufta nuk ka për të ndodhur.
Intervista e plotë:
Z. Bajraktari, ditët e fundit është rritur tensioni në kufirin rus me Ukrainën ndërsa si SHBA ashtu edhe vende të tjera perëndimore, kanë folur se një pushtim i mundshëm i Ukrainës mund të ndodh shumë shpejt. A është kjo një frikë e justifikuar?
Vendet perëndimore kanë kohë që parashikojnë luftë, kanë bërë thirrje të ndryshme qytetarëve të largohen dhe të mos udhëtojnë. Frikë nuk mund të jetë, përgatitje po. Shanset për një sulm, kanë përcaktuar dhe data që më duket absurde. Ukraina ka rreth 8 vite që përgatitet për mbrojtjen e territorit.
Po politika ukrainese si e sheh përplasjen që aktualisht zhvillohet jashtë frontit të luftës, nëpër tryeza? Po përforcimin e ushtrisë ruse në kufi?
Vetëkuptohet. Përderisa kemi një tension, kërkesa e vetme është që të mos ketë përplasje frontale por të zgjidhet përmes diplomatëve.
Mendoni se zgjidhja e këtij konflikti mund të jetë në tavolinë dhe si e keni parë përpjekjen e SHBA dhe vendeve të tjera?
Kam thënë që kjo do të marrë një rrugë përfundimtare vetëm në rrugë diplomatike. Këto vende kanë qenë miq dhe nuk ma ha mendja që Putin ta pushtojë Ukrainën. Kjo e fundit po kërkon rikthimin e territorit.
Shumë vende përfshi dhe Shqipërinë kanë kërkuar largimin e qytetarëve të tyre nga Ukraina. Është ky vendim i duhur në këto momente?
Është pak mendiatike. Do shkoj drejt një alarmimi, në popull kjo nuk ndihet në popullsinë e pjesës tjetër të Ukrainës. Për mua luftë nuk do ketë, por nuk do të thotë se iku rreziku.
Për momentin kuptohet që është një përplasje mes SHBA dhe NATO. Trupat ushtarake që janë vendosur në Ukrainë me kalimin e kohës është bërë një tërheqje e tyre. Rusia ka qasje në Ballkan dhe deri diku kemi situata të agravuara. Në Bosnjë është një barut që do të shpërthejë në çdo moment. Ne merremi me Ukrainën por ne kemi më afër këtë.



