Përgatitja e strukturave për zgjedhjet e përgjithshme ka qenë tema kryesore e mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike.
Kriza ekonomike do të jetë boshti i fushatës së ardhshme të demokratëve. Në përfundim të mbledhjes, kryetari Basha tha se PD do t’u propozojë qytetarëve paltformën ekonomike të ringritjes.
“Sfida më e madhe e çdo familje, e çdo shqiptari, është kriza ekonomike. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet nga ata që zhvatën Shqipërinë. Ndaj e gjithë vëmendja jonë është tek e ardhmja. Ndaj PD dhe opozita e bashkuar janë të vendosura të paraqesin platformën ekonomike kudo në Shqipëri. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, do të kemi në fokus ringritjen ekonomike. Ky do të jetë përqendrimi i gjithë energjive tona. Do përqendrojmë gjithë energjinë tonë te fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike, duke iu ofruar planin tonë shqiptarëve, për t’u kthyer ekonominë atyre”, tha Basha.



