Tensioni mes izraelitëve dhe palestinezëve po përshkallëzohet sërish në mënyrë të rrezikshme, edhe këtë herë për shkak të bastisjes së vendit të tretë më të shenjtë për myslimanët, në qytetin e vjetër të Jeruzalemit, nga agjentët izraelitë.
Gjithçka filloi kur policia izraelite bastisi xhaminë Al-Aksa dhe sulmoi besimtarët myslimanë, raportuan mediat palestineze. U shënuan përplasje mes ushtarakëve dhe besimtarëve, disa prej të cilëve u plagosën.
Më shumë se 350 palestinezë janë arrestuar.
Lëvizja islamike palestineze Hamas u përgjigj menjëherë, duke e denoncuar veprimin si "një krim të paprecedentë", duke ftuar palestinezët në Bregun Perëndimor të shkojnë masivisht në xhaminë Al-Aksa për ta mbrojtur atë.
Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmoud Abbas paralajmëroi Izraelin se kjo lëvizje kalon të gjitha linjat e kuqe dhe do të çojë në një shpërthim të madh.
Pas lajmit, një breshëri raketash u ngrit nga Rripi i Gazës në drejtim të territorit izraelit, duke ndezur alarmin e sulmit ajror në qytetet kufitare. Ushtria izraelite tha se pesë raketa u kapën dhe katër u ulën në zona të hapura. Nuk raportohet për viktima.
Bashkia Sderot tha se një nga raketat goditi një fabrikë në zonën industriale, duke shkaktuar dëme. Këtë e raporton Times of Israel .



