Spanja duket se është gati të njohë Kosovën, nëse arrihet marrëveshje me Serbinë.
Lajmin e bën të ditur portali i Brukselit, EU Observer, duke iu referuar burimeve anonime në Ministrinë spanjolle të Punëve të Jashtme.
Ministria kujton se Spanja nuk e ka njohur Kosovën me argumentin se shpallja e njëanshme e pavarësisë në 2008 ishte "në kundërshtim me sundimin e ligjit, por ajo besonte në pashmangshmërinë e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë".
EU Observer gjithashtu thekson se Ministritë e Punëve të Jashtme të Qipros, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë nuk iu përgjigjën pyetjes së pozicionit të tyre aktual, por që, nëse Spanja ndryshon mendje, vendet e tjera të BE do të ndiqnin shembullin e saj, në rast se një marrëveshje arrihet midis Serbisë dhe Kosovës.
Spanja në mënyrë të përsëritur e ka kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse një vendim i tillë mund të nënkuptojë një skenar të ngjashëm me Katalonjën Spanjolle, ku aspirata për shkëputje është ende aktive.



