Politologu Ilir Kalemaj deklaroi në MCN Live se me përjashtimin e deputetëve të PD nga Kuvendi i është shtuar kripë plagës, duke mos lënë hapësirë tjetër për opozitës përpos protestës.
Megjithatë Kalemaj thekson se opozita duhet të ketë një strategji të qartë të qëllimit politik të protestës.
Kalemaj vë në dukje se shtresa gri, apo qytetarët e lëkundur, nuk dalin në rrugë për çështjen e vulës në PD.
Ai shtoi se qytetarët mund të dalin për rritjen e çmimeve të shportës, pasi po shitet djathë me niseshte 30 për qind më shtrenjtë.
Është një protestë që duket s’e s’ka afat, do zhvillohet sa herë ka Parlament. Çështja e frymës është e diskutuar. Duhet të kishte një strategji politike, jo vetëm organizimi. Nuk ka një strategji politike se ku do të na çojë. Protesta është që të marrë vulën Berisha, të ikë Rama, për zgjedhje parlamentare të parakohshme, protesta është që të njihet partia e drejtuar nga Berisha për të hyrë në zgjedhje?! Kur do të përfundojë kjo protestë, me çfarë përfundon kjo protestë. Pjesa më e madhe e atyre që do mbajnë gjallë frymën e protestës në ditët në vijim do jenë tiransit. Opozita është në të drejtën e saj që këtë mega-aferë ta kthejë në kryetemë. Nuk e di pse z.Rama është duke shtyrë pafundësisht mocionin me debat për këtë aferë. Në fund të ditës kjo aferë nuk do ikë, nuk do zhduket, nuk do zhbëhet. Rama ka për përgjegjësi llogaridhënien para elektoratit, për të dhënë provat e tij të pafajësisë, dhe jo vetëm të tij por të zyrtarëve të lartë të përfshirë. I bie të jetë një pjesë e madhe e enturazhit jo vetëm politik, por edhe mediatik, biznesi etj., të përfshirë. Duke i shtuar kripë plagës, duke përjashtuar deputetët e opozitës ti s’lë asnjë lloj hapësirë, përpos asaj që po shohim para Parlamentit. Kjo po e unifikon opozitën, sepse edhe ata deputetë të grupit Alibeaj, aktualisht janë të detyruar të jenë kritikë me qeverinë dhe të kërkojnë interpelancë, sepse e dinë se nëse nuk e bëjnë është një suicid ose vetëvrasje politike, që nuk kënaq votuesin opozitar.
Fryma nuk krijohet nëpërmjet ‘dua të marr vulën e partisë’. Nuk nxit qytetarët e shtresës gri, të pavendosur, të Tiranës, për të mbështetur revolucion apo revoltë. Ajo ka të bëjë me strategjinë politike të protestës. Do jetë një protestë që si synim kontrollin e partisë apo rrëzimin e Ramës. Berisha mund të thotë i bën të dyja, por s’të dalin qytetarët e Tiranës për vulën. Ata mund të dalin për rritjen e çmimeve të shportës. Ne po hamë djathë me niseshte dhe po rritet çmimi me 30 për qind në ditët e fundit. Bordi i rriti sërish çmimet e karburanteve, ndërkohë që është në mospërputhje me atë që po ndodh sot në botë. Qytetarët çohen kur ka kauza të drejta”.



