Kryeministri Edi Rama të hënën nga foltorja e Kuvendit i është përgjigjur zërave që e pyesin se për çfarë arsye Operacioni Forca e Ligjit (OFL) nuk merret me politikanë apo gjykatës.
Kryeministri tha se OFL është një operacion policor që ka si synim subjektet që janë dënuar dhe e kanë kryer procesin gjyqësor.
Sipas tij, OFL ka objekt të ofensivës së vet persona që e kanë kryer procesin gjyqësor, pra persona të dënuar, ndërkohë që politikanët dhe gjykatësit, apo prokurorët janë subjekt i deklarimit të pasurive prej vitesh dhe i takon drejtësisë që ta shohë për çdo rast, sipas nevojave të saj, për hetime burimin e pasurisë së politikanëve apo gjykatësve.
“Askush nuk do të shpëtojë nga rrjet e OFL dhe e drejtësisë e lidhur me asetet e vëna me krim, por natyrshëm kjo ka krijuar një pasiguri e cila nuk ka bazë, sepse OFL nuk ka subjekt të veprimtarisë së vet askënd përveç atyre që kanë kryer krimet e parashikuar në ligj, por ama duke e ditur të gjithë ata që janë shqetësuar se kanë para të fituara nga puna në të zezë se kanë asete të padeklaruara janë vënë në një lloj pasigurie”, tha kreu i qeverisë.
Rama u ndal edhe tek amnistia fiskale, duke theksuar se do të përjashtohen emigrantët që kanë punuar jashtë vendit, ndërsa përjashtohen ata që parat i kanë nga aktivitetet kriminale.
“Për të adresuar këtë pasiguri dhe për të njohur të drejtën e formalizmit të të gjitha atyre që vijnë nga djersa e punës së ndershme, të të gjithë emigrantëve shqiptarë që kanë kaluar për herë të parë kufirin e botës, nuk i ka pritur njeri me krah hapur, por kanë bërë gjithfarë punësh dhe kanë kursyer për të mbajtur veten dhe familjet e tyre. Këto janë kursime të ndershme për të cilat ne do të hapim rrugën e futjes nëpër banka, duke i përjashtuar nga çdo lloj kontrolli i çdo natyre të regjimit të jetës së përditshme siç do të ndodhë pas amnistisë”, tha Rama
Kryeministri nënvizoi se nga amnistia do të përjashtohen ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi, gjithashtu sipas tij, amnistia do të jetë fiskale dhe penale dhe do të votohet me 84 vota, me arsyen që nesër të mos ketë shans që të vijë njeri dhe ta kthejë për arsye politike.
11:56/ Rama: S’kemi asnjë person të prekur nga koronavirusi
Kryeministri Edi Rama të hënën nga foltorja e Kuvendit është shprehur për mundësinë e përhapjes së koronavirusit në vend. Kryeministri tha se të gjitha këto burime të infodemisë shkaktojnë alarm dhe frikë, në këto kushte duhet përballuar situata. Sipas tij, vetëm 2.3 përqind e të prekurve kanë humbur jetën, ndërsa pjesa tjetër e ka përballuar dhe e përballon pa pasoja për jetën këtë epidemi.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse, nëse shohim lajmet me të vdekurit janë më shumë se ato për të shëruarit”, tha Rama, duke iu referuar panikut në vend.
Më tej, kryeministri shtoi se duke folur për maskat, thirrja e OBSH-së është se mos harxhoni lekët për maskat, pasi ato nuk ju mbrojnë, janë të dobishme vetëm për të prekurit dhe për ata që iu shërbejnë të prekurve.
“Është harxhim i kotë i parave. Në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka 1 milion dollarë plus për këtë çështje, kemi shpëndarë 1.2 milion maska të shpërndara, që do mbeten si relike”, tha Rama.
Ai deklaroi se për përditësimin e kësaj çështjeje, 31 testime të kryera në persona me simptoma të dyshimta dhe të ngjashme me viruesin kanë rezultuar negative.
Rama tha se nisur nga këto testime, në vend, s’ka asnjë të prekur. Ai shtoi se janë kryer 16 mijë kontrolle në pikat kufitare nga sistemi i angazhuar në funksion të parandalimit të përhapjes së viruesit.
“Mos u alarmoni nga infodemia, qëndrojini larg lajmeve jo zyrtare dhe vendosni maskë në vetëdije për të përballuar rezultatet e klikimeve të portaleve”, tha Rama.



