
Për pedagoun Ali Zaimi vendimi për mbylljen e shkollës “Mehmet Akif” është sa absurd po aq edhe qesharak pasi shkëlqimi i nxënësve në fusha të ndryshme është tregues i një standardi shumë të lartë të këtij institucioni.
I ftuar në studion e lajmeve në MCN Tv, Zaimi thotë se çdo shqiptari i mbetet të dyshojë se vendimi ka prapavijë politike dhe se ka pasur një efekt të madh social tek nxënësit, prindërit dhe mësuesit.
Zaimi i bën thirrje institucioneve ta rishikojnë vendimin.
Këto shkolla janë hapur me frymëzim nga Gulen, por janë sipërmarrje të lira dhe janë shqiptare. Vendimi i MAS është abuziv, i rëndë dhe goditje për arsimin. Arsyetimet se nuk përmbushin standardet janë absurde. Mbyllja e një shkolle është lajm i keq, por mbyllja e “Mehmet Akif” është sa absurd dhe qesharak. “Mehmet Akif” është shkolla më e mirë private në Shqipëri. Shkëlqimi i nxënësve janë tregues i një standardi të lartë. Edhe nëse ka parregullsi i takon MAS të ndihmojë. Nuk mendoj se MAS i ka kërkuar të plotësojë standarde dhe këta janë përgjigjur negativisht. Qytetarët përballen me një vendim të qeverisë për mbylljen e shkollës. Çdo shqiptar i mbetet të dyshojë se ka prapavijë politike. Askush nuk mendon se është bërë për arsye tjetër.
Çështja nuk është gjykuar në parim, shkolla ka kërkuar pezullimin . Gjykata ka vendosur që nuk ka efekt social dhe human, kam qenë dëshmitar, kam parë fëmijë që qanin, kam parë mësues të indinjuar, njerëz të tromaksur dhe Gjykata thotë s’ka efekt. Ka një efekt social se ku do të shkojnë këta fëmijë janë 250 fëmijë, janë 160 nxënëse. Në kushtet e një presion është e vështirë të gjendet drejtësi, por do ndiqet në shkallët më të larta të gjyqësori, e dhimbshme t’ia lejojmë vetes të mbyllet shkolla më e mirë në Shqipëri.
Nuk mendoj se ka pasur indiferencë, mendoj se ka pasur solidarizim, por solidarizimi s’ është vetëm nëpërmjet protestave. Askush nuk e meriton këtë vendim, të gjithë e shohin arbitrare dhe të padrejtë. Ne s’kemi të bëjmë me palë, të gjithë jemi një palë dhe duhet të jemi të gjithë me arsimin. Ky është një minim i çdo sipërmarrje private, është një moment frike, që si mund të kesh një sipërmarrje kur dhe më i miri ndëshkohet. Bëj thirrje që MAS të rishikojë këtë vendimin dhe t’i kthejë normalitetin arsimit dhe të mos gjendemi në një situatë frike.
Sipas Zaimit regjimi i Erdoganit kërkon të kthejë të vjetrën. Duke vijuar logjikën e tij, pedagogu thotë se një shtet sado i vogël të jetë s’ka pse të marrë direktiva nga një shtet tjetër.
Presioni mund të jetë, ka qenë gjithmonë. Shqipëria ka pasur marrëdhënie miqësore me Turqinë por regjimi i Erdoganit kërkon të kthejë të vjetrën, ne po ecim para. Rrota e Shqipërisë është drejt BE-së dhe jo drejt regjimeve totalitare. Një shtet sado i vogël që mund të jetë s’ka pse të marrë direktiva, nuk është dinjitoze. Nuk e them për atë që e kërkon, por ne nuk jemi të detyruar, e kemi orientimin tjetër kund. Këto tendenca na sjellin dhe një herë një panik dhe një frikë që mund të kthemi prapa. Precedenti është i rrezikshëm përtej dëmit që i shkaktohet “Mehmet Akif” dhe “Turgut Ozal.



