Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, hedh poshtë pretendimet e Berishës në lidhje me rastin e Remzi Hoxhës. Klosi komentoi përgjigjen e Berishës, i cili në një intervistë tha se emrin e Remzi Hoxhës e kishte dëgjuar për herë nga Adem Demaçi dhe institucionet hetimore nuk kishin dijeni për fatin e tij.
Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Klosi tha se Berisha jo vetëm kishte informacion të saktë, por ka pajisur me pasaporta diplomatike përgjegjësit për vdekjen e Remzi Hoxhës.
Sipas Klosit, roje dhe shoferë të SHIK-ut kanë folur për rastin në fjalë, ndërsa dëshmitë e tyre janë në prokurori. Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, duke iu referuar hetimeve të kryera nga SHISH pas largimit të Berishës nga pushteti, shprehet se, Remzi Hoxha i mbeti në dorë SHIK-ut tw Gazidedes, por pavarësisht kërkimeve, nuk u gjend vendi ku prehen eshtrat e tij.
“Berisha gënjen. Si mund të mos kishte informacion Berisha? Remzi Hoxhën e kishte SHIK-u i Bashkim Gazidedes. SHIK-ut i ka mbetur në dorë Remzi Hoxha. Unë nuk them se kanë dashur ta vrasin, por u mbeti në dorë nga torturat. Dhe Berisha e dinte këtë gjë. Kishte informacion shumë të saktë. Nuk mund të guxonte SHIK-u të mos informonte Berishën për gjëra të tilla. Kaq e thjeshtë është. Berisha gënjen”, thotë Klosi.



