
Të hënën, PD mbledh forumet më të larta vendimmarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, që do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.
Komisioni do të ketë në përbërje 5 persona dhe do të asistohet nga sekretariati ndihmës i Komisionit, i përbërë nga dy persona.
Modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, është miratuar me votë në Kuvendin Kombëtar të demokratëve.
Seleksioni i kandidatëve të propozuar për deputetë do të bëhet nga Komisioni i Vlerësimit. Pjesë e këtij komisioni janë dy prej themeluesve të PD, Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj.
Emra të tjerë nuk janë bërë ende publikë, por komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.
Propozimi i emrave përgjatë një periudhe 6-javore ka identifikuar një numër të lartë kandidatësh në të 12 qarqet.



