Edicioni i tetë i Maratonës së Tiranës ka mbërritur, më shumë se 4 mijë pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rreth 50 vende të botës që do të bëhen pjesë e garës. Maratona është kthyer një traditë për kryeqytetin, ndërsa sot zhvillohet nga ora 09:00 deri në 16:00. Gjatë këtyre fashave orare rrugët kryesore brenda unazës së mesme do të bllokohen.
Në mesin e pjesëmarrësve në maratonën kryesore prej 42 km është atletja Luiza Gega. Ndërkohë, këtë vit, sipas Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, janë 40% më shumë sportistë në maratonën kryesore.
Maratona do të zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon”, “Half Marathon”, “Tirana 10K” dhe “We Too” dhe për secilën prej tyre janë parashikuar çmime të ndryshme.
Një ditë para “Maratonës së Tiranës”, në kryeqytet u zhvillua gara e vrapimit “Fun Run Tirana” me 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të cilët vrapuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.



