
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se ata që po hartojnë seknar të destabilizimit të Kosovës do të përfundojnë me turp.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Haradinaj vë në dukje se Prishtina dhe Beogradi s’kanë rrugë tjetër përpos të merren vesh për të qenë secili zot në shtëpinë e vet.
"Ata që po hartojnë skenar të destabilizimit të Kosovës do të përfundojnë me turp. Kosova dhe Serbia nuk kanë rrugë tjetër përpos të merren vesh për të qenë secili zot në shtëpinë e vet! Të gjithë ata që mundohen të gatuajnë skenarë të destabilizimit të situatës, e të cilët fatkeqësisht nuk janë pak, do të përfundojnë me turp. Interesi i shqiptarëve dhe i serbëve është të jetojnë pranë njëri-tjetrit e në paqe dhe për këtë është paguar një çmim i madh dhe është bërë një përpjekje titanike për të arritur deri këtu ku jemi. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush as në Beograd as në Prishtinë apo gjetiu. Prandaj hiqni dorë nga skenarët ogurzi, sepse historia nuk kthehet mbrapsht!”, ka shkruar Haradinaj.



