
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen, pasi siç është shprehur vetë do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.
Gjatë një konference për mediat, Vitia foli për punën që ka bërë gjatë kësaj kohe si ministër i Shëndetësisë, teksa njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti që ka mbajtur deri tani.
“Pata privilegjin t’i shërbejë popullit në kohë të vështirë. Më lejoni të ju njoftoj për vendimin që e kam marrë në dakordim me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbylli angazhimin tim në këtë detyrë, me të cilën më pat ngarkuar Kurti, ku jam mirënjohës ndaj tij.
Ndërkohë, ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.
Javë më parë ai ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të Komunës në Prishtinë nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje, por ka vijuar të mbajë postin qeveritar.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, ndërkaq deri tani Vitia nuk është përfshirë në fushatë zgjedhore.



