
Në Serbi vazhdojnë reagimet pas heqjes së fletëarrestit nga Interpoli për kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj.
Edhe pse tashmë është konfirmuar edhe nga Interpoli heqja e fletëarrestit, në Serbi e thonë të kundërtën. Kryetari i Komitetit parlamentar serb për Kosovë, Milovan Drecun, ka deklaruar se Interpoli nuk e ka hequr fletëarrestin për Haradinajn. Sipas tij, Interpoli fletarrestin për Haradinajn “e ka bërë të padukshëm për vendet e tjera, përveç Serbisë”, transmeton lajmi.net.
“Fletarresti është bërë i padukshëm, që do të thotë se Haradinaj mund të shkojë në Francë apo në ndonjë vend tjetër dhe askund nuk e ndalin, por nëse vjen në territorin e Serbisë, sigurisht se nuk do të jetë ashtu”, ka thënë Drecun për Prva-n dhe ka shtuar se nuk mund t’i ikë përfundimit se vendimi i Interpolit është politik.
Sipas tij, ky akt kthen mbrapa dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që po zhvillohet në Bruksel, pasi pas këtij vendimi nuk mund të flitet për pajtim.
“Ky vendim është i dëmshëm dhe tregon që nuk mund të arrihet drejtësia, me këtë vendim diskriminohen viktimat, por edhe shteti i Serbisë, të cilit nuk i është mundësuar implementimi i drejtësisë”, ka thënë Drecun.
Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar ankesë në vendimin e Interpolit që fletëarresti i lëshuar nga Serbia për Ramush Haradinajn dhe 17 persona tjera të shfuqizohet.
Lajmin për heqjen e fletarrestimeve për Haradinajn dhe për 17 persona tjerë nga Kosova e ka konfirmuar edhe ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri.



