
Babai i ndjerë i Mukesh Ambani, i cili e ngriti perandorinë e biznesit të familjes duke e nisur me vetëm 100 dollarë, dikur i tha të birit se ai nuk e dinte se si ishte të ishte i varfër. Për familjen Ambani, kulla e të cilës në Mumbai është një nga rezidencat private më të shtrenjta në botë, kjo thënie kurrë nuk ka qenë më e vërtetë. Ata janë familja më e pasur në Azi, me një pasuri 50 miliardë dollarë.
Në Azi, 20 familjet më të pasura të rajonit vlejnë më shumë se 450 miliardë dollarë në tota. Duhet theksuar këtu se, motori i rritjes ekonomike në botë po fiton pasuri në një shkallë të paparë. Nuk është për t'u habitur, që disa nga vendet ku gjenerohen pasuri të tilla po përballen me pabarazi të zgjeruar. Hong-Kongu, në të cilin u rritën gjashtë nga pasuritë më të mëdha familjare, ka ndarjen më të thellë mes të pasurve dhe të varfërve. Protestat në rrugë që kanë përfshirë qytetin për muaj të tërë u nxitën nga frika e gërryerjes së lirive nën Kinë, por edhe nga ndarja midis të pasurve dhe atyre që luftojnë për të siguruar strehim.
Klasifikimi që bën “Bloomberg” për pasuritë familjare përjashton pasuritë e gjeneratës së parë siç është ajo e Jack Ma të gjigantit Alibaba Group Holding Ltd., si dhe ato në duart e një trashëgimtari të vetëm. Kjo do të thotë që asnjë familje nga Kina kontinentale nuk është në listë, çka pasqyron rritjen e pasurisë së vendit relativisht vonë. Fushata e Presidentit Xi Jinping kundër ekstravagancës ka shkatërruar disa prej super të pasurve që ishin rritur disa vjet më parë. Megjithatë, shumë nga klanet më të pasura të Azisë kanë rrënjë kineze.
Trendet e tjera dallohen. Pasuritë e paluajtshme janë një; shumica e familjeve në listë e kanë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre nga zhvillimi i pronës ose kanë prona me vlerë miliarda dollarë.
Pasanikët e Azisë janë gjithashtu mishërimi i fjalës së urtë "I pasur është njeriu pa borxhe". Në pjesën më të madhe, ata shmangën kreditë në vitet e kaluara, strategji që u ndoqën nga konkurrentë të tyre, veçanërisht në Indi dhe Kinë, ku manjatët premtonin lirisht aksione në këmbim të kredive.
Ndërsa dinastitë e Azisë përgatiten për transferimin e pasurisë te brezi tjetër, shqetësimet popullore për pabarazinë e të ardhurave në rajon janë më të nënshtruara sesa në Perëndim, ku propozimet për tatimin mbi pasurinë e kanë kthyer vëmendjen te familjet e pasura.
Hong-Kongu, India dhe Singapori – ku zhvillohen ngjarjet e filmit "Crazy Rich Asians" - kanë hequr të gjitha taksat mbi pasurinë ose trashëgiminë vitet e fundit. "Mungesa e një debati në Azi për taksimin e pasurisë është aq e çuditshme sa është e dëmshme", tha Donald Loë, profesor në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong, një nga avokatët e rrallë të taksave të pasurisë në rajon.
Sigurisht, kjo mund të ndryshojë. Por tani për tani, familjet më të pasura të Azisë janë në majë.



